Kombëtare

Përleshje në Prishtinë, avokati Asdren Hoxha: Polici kërcënoi me pistoletë një qytetar në mes të rrugës

Përleshje mes dy personave ka ndodhur rreth orës 14 e 30, rrugës për Veterrnik në Prishtinë.

Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, shihen dy persona duke u fjalosur në mes të rrugës.

Njëri nga ta siç shihet në pamjet e kamerës, mban në dorë një pistoletë dhe ia drejton armën një personi tjetër i cili është i pa armatosur.

Mirëpo me të arritur policia në vend të ngjarjes personat kanë ikur.

Nga Policia e Kosovës ende nuk kanë dhënë detaje për rastin.

Lidhur me rastin, ka folur Avokati Asdren Hoxha.

Hoxha për Telegrafin ka thënë se klienti i tij i cili shihet pa armë me kapelë në dorë, ka qenë rrugës si vozitës normal dhe papritur dy persona i kanë bërë presion gjatë vozitjes dhe ia kanë bllokuar rrugën.

Sipas tij, personi që e kërcënon me armë zjarri dhe rrahu, klientin e avokatit Hoxha, është polic.

“Po, kanë qenë dy persona, shokë. I kanë bërë preson të ndalet. Klienti im nuk ka ditur çka po ndodhë. Ata ia kanë bllokuar rrugën me veturë. Njëri nga ta, i cili mban pistoletë është polic dhe ai me shokun e tij e kanë rrahur klientin tim”, tha Hoxha.

Ai ka thënë se ka njoftuar inspektoratin policor të Kosovës, dhe po pret që edhe zyrtarisht të paraqes rastin në fjalë.

Telegrafi ka kontaktuar Inspektoratin Policor të Kosovës, të cilët kanë thënë se rasti është duke u hetuar.

“IPK është njoftuar lidhur me këtë rast dhe hetuesit kanë filluar një hetim preliminar kurse veprimet tjera do të ndërmerren në përputhje me mandatin ligjor të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e tyre.