Kosova

Përkundër aktakuzës, Aeroporti nuk e ka larguar nga puna zyrtarin që rrezikoi dhjetëra pasagjerë

Martin Alekov, mbikëqyrës i sistemit automatik në Aeroportin e Prishtinës, është duke vazhduar të punojë në ANP ndonëse ndaj tij, në prill të këtij viti, është ngritur aktakuzë.

Alekovi dyshohet se gjatë grevës së punëtorëve të Aeroportit, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit e sigurinë e aviacionit civil, ka lejuar kalimin e afro 100 bagazheve në depon e aeroplanit pa kontrollin e nevojshëm.

Sipas burimeve të KOHËS në Aeroport, ndaj Alekovit nuk është ndërmarrë ndonjë veprim, përkundër shkeljeve të bëra, raporton KOHA.

Por, të dhënat e kërkuara lidhur me mbikëqyrësin Martin Alekov edhe kësaj radhe zyrtarë të Aeroportit i kanë konsideruar të brendshme.

Megjithatë, sipas aktakuzës, shtetasi bullgar, inxhinier i elektronikës, ka ndërhyrë në lirimin e ngarkesës së bagazheve në trakat kontrolluese, ngarkesë kjo e krijuar pasi operatorët që merren me kontrollimin e tyre ishin në grevë.

Madje sipas saj, Alekov për vendbanim ka hapësirat e aeroporti “Adem Jashari”.


“I pandehuri Martin Biserov Alekov, inxhinier i Elektronikës, në cilësinë e mbikëqyrësit të sistemit automatik e që janë trakat që lëvizin në Aeroport për bartjen e valixheve të udhëtarëve, ka ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar trakën që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili sistem është manual dhe hyn në funksionet vetëm në rastet rezervë “back up” dhe asnjëherë traka që dërgon bagazhet në VIS HR nuk guxon të operojë pa u kontrolluar imazhet e VIS HR nga operatori X-Ray ku në rastin konkret traka ka dërguar bagazhet në VIS HR pa prezencën e operatorit X-Ray dhe 99 bagazhe që kanë kaluar në këtë mënyrë janë ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të pandehurit Martin Biserov Alekov, që të gjitha këto bagazhe të dyshuara si të kontaminuara dhe po ashtu janë ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara të dyshuara nga pajisjet LRDX1 dhe LRDX2 e të cilat është dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray, me ç’rast të pandehurit e lartcekur me këto veprime kanë rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në atkakuzë.

Koha ka provuar të marrë një qëndrim nga Martin Alekov. Por i njëjti, nuk ka kthyer përgjigje që nga 21 tetori.

Ofrimi i sigurisë në Aeroport përmes kontrollit të bagazheve dhe pasagjerëve është e rregulluar me Programin Shtetëror të Sigurimit të Aviacionit Civil, atij të Aeroportit, si dhe rregulloreve e udhëzuesve të Bashkimit Evropian.

Lidhur me pasojat e kalimit të tyre pa kontrollin e duhur, televizioni ka provuar të marrë një përgjigje nga udhëheqësi i Divizionit për Siguri të Aviacionit Civil, Kastriot Gashi.

Por, ai ka kërkuar që për çështje të tilla të drejtohemi te Ministria e Punëve të Brendshme.

Në anën tjetër, nga MPB-ja përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë se “moszbatimi i rregullave të përcaktuara në Programin Kombëtar për Siguri të Aviacionit Civil dhe Programit të Sigurimit të Aeroportit paraqet shkelje, e cila është e sanksionuar me legjislacion”.

“Të gjitha kontrollet e sigurisë, përfshirë edhe kontrollin e bagazheve të pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kryhen në përputhje me procedurat e parapara në Programin e Sigurimit të Aeroportit dhe Programin Kombëtar për Siguri të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës. Këto dy programe, specifikojnë artikujt e ndaluar të cilat nuk duhet t’i përmbajë një bagazh në fluturim dhe procedurat e veprimit të cilat duhet të merren nga operatori i skenimit nëse në një bagazh gjenden artikujt e ndaluar. Moszbatimi i rregullave të përcaktuara në Programin Kombëtar për Siguri të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës dhe Programit të Sigurimit të Aeroportit, paraqet shkelje e cila është e sanksionuar me legjislacion”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në seancën fillestare, Alekov është deklaruar i pafajshëm.

Avokat i tij është Shkëlzen Sopjani, për të cilën televizioni ka raportuar për lidhjet me drejtorin e operimeve në Aeroport, Gokmen Aritay, derisa aty ka punësuar edhe familjarë të tij.

Sopjani, siç ka raportuar KOHA, është duke e përfaqësuar Aeroportin edhe në kontestet gjyqësore që ka ndaj punëtorëve të larguar.