Kosova

Përkrahësit e Vetëvendosjes të zhgënjyer me emërimet e reja në borde, e cilësojnë si etje për pushtet

Emërimet partiake që bëri dje Qeveria në bordet e përkohshme të ndërmarrjeve publike kanë nxitur reagime edhe te ata që e përkrahin LVV-në dhe Qeverinë Kurti. Enver Robelli i ka quajtur “të etur”, e Rron Gjinovci ndihet i zhgënjyer. Dastid Pallaska, konsistent me vëretjet e tij ndaj Qeverisë Kurti dhe ndaj VV-së, thotë se këto veprime konfirmojnë se kjo parti nuk dallon aspak nga partitë e tjera.

Lëvizja Vetëvendosje nisi misionin e saj për shkapjen e shtetit, duke kapur disa prej bordeve të ndërmarrjeve pubike, në të cilat vendosi njerëz të saj, pasi largoi ata që supozoheshin se ishin vendosur nga partitë e tjera.

Ditë më parë Qeveria shkarkoi bordin e Shërbimit Spitalor, për ta ngarkuar atë me anëtarë të tjerë, ndër ta edhe Mirsad Shkreta, që ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet.

Ky ishte vetëm fillimi i zëvendësimit të të emëruarve politikë të mëhershëm me anëtarë të LVV-së, në bordët e ndërmarrjeve publike, ku partitë duhet të qëndrojnë larg tyre.

Qeveria në detyrë dje emëroi bordet e përkohshme të tri ndërmarrjeve publike, duke vendosur në krye të tyre anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Artan Dermakun e ka emëruar drejtor në bordin e ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” , ndërkaq Mentor Hysenin në bordin e “KRU Prishtina”. Të dy të anëtarësuar zyrtarisht në partinë e Kurtit.

Publicisti dhe gazetari Enver Robelli, që rrallë shihet ta kritikojë Lëvizjen Vetëvendosje, dje ironizoi me partinë e Kurtit duke thënë se shumë e etur dhe se ka kapur së pari bordin e Ujësjellësit.

“Me gjase shume e etur VV. Andaj e ka kapur se pari Bordin e Ujesjellesit. Per ta shuar etjen. Erdhi dita. Veç nuk po dihet: kapje a çkapje?”, ka shkruar Robelli.

Analisti Rron Gjinovci është ndier i dëshpëruar, duke shkruar se është i papranueshëm emërimi i njerëzve të VV-së dhe kërkoi që këta emra të zëvedësohen me ekspertë. Nëse veprimet e tilla përsëriten, sipas Gjinovcit, i bie që ka filluar kapja e re.

“Vendosja neper borde e njerezve te VV eshte e papranushme. Kryeministri duhet me dhane shpjegim, me kerku falje dhe me i zavendesu krejt emnat partiak me emna ekspertash. Nderkohe, mediet me qene hala ma vigjilente mos Kryeministri dhe ministrat po bejne veprime te ngjashme. E nese keto veprime perseriten, atehere i bjen qe nuk jane gabime, por zevendesim i planifikum i kapjes se deritashme me kapjen e re”, ka shkruar Gjinovci në Facebook.

Agron Demi nga Instituti GAP e ka quajtur veprim të pështirë mbushjen e bordeve me anëtarë të partisë në pushtet.

“Një ndër veprimet më të pështira të partive është mbushja e bordeve me anëtarë të partive në pushtet. Bordet duhet të shërbejnë për avancimin e ndërmarrjes, e jo për shlyerjen e borxheve të partive. Andaj, zëvendësimi i bordeve partiake me anëtarë të partisë tash në pushtet, është vetëm vazhdim i degradimit të ndërmarrjeve me metoda të njejta, përmes emrave të rinj”, ka shkruar Demi.

Avokati Dastid Pallaska shkruan se me  veprimet e fundit, VV-ja vetëm konfirmoi se nuk dallon nga partitë tjera politike që kanë udhëhequr në 20 vjet.

“Kjo tregon se Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqet asgjë më shumë se vazhdimësi të konceptit politik të këtyre 21 viteve që partitë politike dhe njerëzit e lidhur me politikë duhet t’i kontrollojnë të gjitha resurset ekonomike të këtij vend edhe ashtu të varfër”, ka shkruar Pallaska.

Sipas avokatit, ndryshimi i vetëm me ardhjen e VV-së në pushtet janë keqpërdoruesit e rinj, të cilët “do të marrin tani hisën e plaçkës”.

“Rrjedhimisht, ndryshimi i vetëm që do të sjellë kjo parti politike janë emrat e përveçëm të keqpërodruesëve të cilët tani do të marrin hisen e plaçkës për të cilën kanë luftuar në rrugën e tyre për pushtet”, ka shkruar Pallaska.

Analisti Blerim Vela, i cili së fundmi ka përkrahur qëndrimet e LVV-së, thotë se emërimi i bordeve drejtuese pa përfshirjen e Ambasadës Britanike është vetëm improvizim.

“Emerimet ne bordet/ekipet drejtuese te kompanive publike pa ndjekjen e kritereve strikte profesionale dhe pa perfshirjen e projektit te Ambasades Britanike, sic eshte premtuar ne programin qeveritar, eshte improvizim. Cdo kthim ne modelin kur libreza partiake krijon perparesi ne emerim eshte perseritje e gabimit qe qeverisjet e kaluara e kane bere ne menyre sistematike. Sidomos, kur emerimet e tilla kerkojne profil profesional qe shume vete e kane ne Kosove. Ai model eshte dashur te perfundoj njehere e pergjithmone me 6 tetor”, ka shkruar Vela në Facebook.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se kushdo që i duatroket veprimeve të fundit të Qeverisë, bëhet argat i kapjes së shtetit.

“Emërimet politike nga qeveria Kurti në bordet e ndërmarrjeve publike i takojnë modelit, të cilin qytetarët e kanë ndëshkuar më 6 tetor. Kështu nuk çkapet shteti. Ata që iu duartrokasin këtyre veprimeve veç ia bëjnë një argat kapjes së shtetit”, shkruan sot Mushkolaj.