Kombëtare

Përjashtimi nga mbështetja e shërbimeve sociale për personat me aftësi të kufizuara, HANDIKOS kërkon sqarim nga komuna e Prishtinës

Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës, që nga themelimi i saj punon në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe situatës së personave me aftësi të kufizuara, duke lobuar e avokuar për respektimin dhe përmbushjen e të drejtave të tyre, për të arritur një shoqëri të barabartë për të gjithë.

HANDIKOS tash e sa dekada ofron edhe shërbime të shumta për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara të ndryshme. Mirëpo vazhdimësia në ofrimin e këtyre shërbimeve, të cilat janë primare dhe më se të nevojshme mbesin një sfidë shqetësuese për personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe për organizatën tonë, duke pas parasysh se HANDIKOS funksionon vetëm në kuadër të projekteve, pa ndonjë qëndrueshmëri afatgjate apo edhe mundësi zgjerimi.

Këtë sfidë në ofrimin e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara, e kanë edhe shoqatat tjera që punojnë në fushën e aftësisë së kufizuar, konkretisht në ofrimin e shërbimeve sociale.

Megjithatë për disa organizata tashmë veç është bërë zgjidhja, duke përjashtuar grupin e personave me të cilët punon HANDIKOS.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Z. Shpend Ahmeti në dhjetor të vitit të kaluar kishte publikuar informatën se Qendra tashmë e quajtur për Sindromën Down dhe Autizëm do të ndërtohet si institucion komunal, gjë që kemi mirëpritur dhe parë si model të mirë, edhe pse ky objekt fillimisht ka qenë i paraparë që të jetë Qendër për persona me aftësi të kufizuara, pa dallim, ndërkohë që më vonë komuna me anë të një vendimi e shndërroi vetëm për këto dy grupe të aftësisë së kufizuar.

Lidhur me këtë, HANDIKOS ka kërkuar disa herë sqarim për këtë përjashtim dhe diskriminim nga Komuna e Prishtinës, por asnjëherë deri tash nuk ka pranuar ndonjë informatë apo përgjigje prej anës së tyre.

Prandaj, HANDIKOS kërkon sqarim publik nga Komuna e Prishtinës që të na tregojë se çfarë kriteresh duhet të përmbush organizata jonë për mbështetje të shërbimeve, njëjtë sikurse shoqatat e Sindromit Down e Autizëm.

Duhet theksuar se Qendra e HANDIKOS e cila gjendet në Veternik, posedon një objekt që përmbush gjitha kushtet infrastrukturore për ofrimin e shumë shërbimeve, duke poseduar dhoma të punës me fëmijët dhe të rriturit, salla të ndryshme e hapësira për qëndrim ditor për të gjitha grupmoshat, staf të përgatitur, punishte të pajisjeve ndihmëse, pajisje të punës dhe automjete të përshtatura, e që janë arritur përmes punës shumëvjeçare, në veçanti në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.

Pra, HANDIKOS sqaron se nuk po kërkon ndërtim të objektit, por vetëm mbështetje të njëjtë edhe për grupet tjera të aftësisë së kufizuar, në veçanti për fëmijët dhe familjet e tyre që janë në gjendje më të vështirë ekonomike dhe sociale, e që institucionalizimi dhe mbështetja sa më e shpejt e shërbimeve që ofron HANDIKOS, nga komuna e Prishtinës do të zgjidhte këtë problem të kamotshëm. /Kosova.info/