Kombëtare

Përhapja e coronavirusit edhe në Itali – Cakaj: Nuk ka shqiptar të prekur

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka njoftuar se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast shqiptarësh të prekur nga përhapja e Coronavirusit në Itali.

Ai ka thënë se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe në Bari po e ndjekin të gjithë çështjen hap pas hapi.

Cakaj ka kërkuar nga qytetarët shqiptarë në Itali dhe ata që udhëtojnë për dhe nëpër Itali t’iu përmbahen masave të përcaktuara prej autoriteteve italiane në situatën e emergjencës.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së bashku me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe në Bari janë duke ndjekur nga afër situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e coronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë. Deri më tani nuk ka informacione për qytetarë shqiptarë të prekur. Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ministrinë e Shëndetësisë të Italisë dhe me Departamentin e Emergjencave Civile të Këshillit të Ministrave të Italisë për masat e përbashkëta për parandalimin e përhapjes së virusit në territorin shqiptar”, ka shkruar Cakaj.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për dhe nëpër Itali t’iu përmbahen masave të përcaktuara prej autoriteteve italiane në situatën e emergjencës.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali do të vijojnë informimin e publikut varësisht prej situatës”, thekson Cakaj.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.