EKONOMI

Përfundon rinovimet pasi fitoi grantin – por fermeri s’i merr paratë nga Ministria

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë po refuzon t’ia japë grantin e fituar Liridon Ahmetajt nga fshati Korishë i Komunës së Prizrenit, pavarësisht vlerësimit të inspektorëve, se projekti ishte realizuar në rregull.

Në gusht të 2017-s ai kishte fituar grant për stallën e bagëtisë në vlerë të 77 mijë eurove, prej të cilave 53 mijë euro do t’i mbulonte ministria, raporton KTV.

Projekti përfshinte rinovimin e stallës së vjetër si dhe zgjerimin e saj, hapësirën për dezinfektimin e kafshëve, hapësirën për grumbullimin e plehut, rezervarin e ujit dhe sistemin e pompave.

Me të përfunduar punimet, Ahmetaj ishte detyruar disa herë t’i ftonte inspektorët për vlerësim.

Në Ministrinë e Bujqësisë nuk kanë pranuar të japin deklaratë. Zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë se kryeshefi i agjencisë për zhvillimin e bujqësisë Elhami Hajdari nuk flet para medieve.

Përmes postës elektronike arsyetohen se projekti nuk i kishte plotësuar kriteret.

“Ferma në fjalë, pas konsultave të shumta të drejtorive të AZHB-së, nuk i plotëson kriteret për mbarështimin e dhive nga se më shumë i ngjan një objekti banimi sesa një ferme për këtë qëllim”, ka thënë Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.

Por, krejt ndryshe ishin deklarimet e inspektorëve të terrenit të cilët kishin konstatuar se stalla i plotëson standardet.

Ahmetaj tregon se vendimi i Ministrisë po ia bllokon biznesin, pasi kishte planifikuar të blinte edhe 300 krerë gjedhe, por tash për tash, nuk po arrin t’i shlyejë as këstet e kredisë.

Babai i tij tregon planin se si kishin planifikuar zgjerimin e biznesit.

Menaxhimi i subvencioneve dhe granteve ka qenë një nga kritikat e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit për dy vjetët e fundit.

Në raportin e fundit, institucionet vlerësohen se po japin subvencionet dhe grantet pa ndonjë strategji, pasi nuk po sjellin fitime.