Gjeopolitikë

Perëndimi me front të përbashkët kundër Kinës

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se ShBA-ja duhet të negociojë me aleatët e saj për të vënë rregulla botërore për t’iu kundërvënë ndikimit në ngritje të Kinës, por ka refuzuar të thotë nëse ai do t’i bashkohej paktit të ri tregtar aziatik të mbështetur nga Kina të nënshkruar të dielën.

I pyetur gjatë një konference për media në Delaware, nëse Shtetet e Bashkuara do të bëheshin pjesë e partneritetit të gjithmbarshëm rajonal për ekonomi (RCEP), Bideni ka thënë se nuk do ta diskutonte politikën tregtare amerikane, sepse ende nuk e ka marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, “dhe tani për tani ka vetëm një president”.

Aleancë me demokracitë

“Ne përbëjmë më shumë se 25 për qind të ekonomisë në botë”, ka deklaruar Bideni, duke iu referuar ekonomisë amerikane.

“Ne duhet të krijojmë aleanca me demokracitë e tjera, me 25 për qind apo më shumë (të pjesëmarrjes në ekonominë botërore), me qëllim që të mund të vëmë rregullat e rrugës, në vend se Kina dhe të tjerët t’i diktojnë rezultatet”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk mund të përcaktohet gjithçka nga Kina dhe aleatët e saj.

Nënshkrimi i RCEP-it në një samit rajonal në Hanoi hartoi marrëveshjen më të madhe tregtare në botë, duke mbuluar tridhjetë për qind të ekonomisë botërore dhe një të tretën e popullsisë, duke bërë bashkë fuqitë aziatike, si Kina, Japonia dhe Koreja Jugore për herë të parë.

Është një prapakthim edhe për ndikimin amerikan në rajon pasi presidenti Donald Trump hoqi dorë më 2017 nga pakti i partneritetit tregtar transpacifik (TPP), të negociuar gjatë kohës kur Bideni ishte zëvendëspresident i administratës së Barack Obamas.

Përderisa anëtarët e TPP-së, përfshirë Japoninë dhe shumë shtete të tjera, avokate të tregtisë së lirë, kanë shprehur dëshirën që Bideni t’i kthehet paktit, ai ka folur pak deri tani për këtë temë dhe këshilltarët e tij kanë thënë se demokrati nuk do t’i heqë menjëherë tarifat për mallrat kineze.

Myron Brilliant, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Dhomës Ekonomike Amerikane, ka thënë se është i shqetësuar se Washingtoni po ngel prapa pas nënshkrimit të RCEP-it.

Por derisa ka mirëpritur benefitet tregtare liberalizuese të RCEP-it, ka thënë se Washingtoni zyrtar nuk duhet të anëtarësohet në bllok.

Plani i presidencës së re

“Duke pasur parasysh mangësitë e RCEP-it, ne nuk do t’i rekomandonim SHBA-së të anëtarësohej”, ka deklaruar Brilliant, duke theksuar se marrëveshjet e fundit tregtare amerikane kishin përfshirë rregulla më të forta mbi çështje, si tregtia digjitale, pagesat jotarifore dhe projeksionet e pronës intelektuale.

“Shtetet e Bashkuara, megjithatë, duhet të përshtatin një përpjekje strategjike më të drejtpërdrejtë për të ruajtur praninë e qëndrueshme amerikane në rajon”, ka hënë ai.

“Përndryshe, rrezikojmë të mbesim jashtë zhvillimeve si një prej motorëve kryesorë të ngritjes ekonomike të botës pa ne”.

Bideni ka deklaruar të hënën para gazetarëve se ka një plan të hollësishëm që do ta diskutojë më 21 janar 2021, një ditë pasi të betohet si president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bideni ka thënë se u ka treguar liderëve se ShBA-ja do t’iu qaste tregtisë, duke ngulmuar se Washingtoni “do të investonte në punëtorët amerikanë dhe do t’i bëjë ata konkurrues”, si dhe të sigurohet se fuqia punëtore dhe interesat mjedisore do të respektohen gjatë negociatave tregtare me qëllim “që të mos ua fusim gishtin në sy miqve tanë”.

I pyetur nëse do të komentonte planet për marrëveshje tregtare kur ka deklaruar se do të kthehej në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Marrëveshjen e Parisit për Klimën, Bideni ka thënë: “Po më pyesni nëse do t’i bashkohesha një propozimi specifik, hollësitë e të cilit tani vetëm po negociohen nga ato shtete. Unë do të kërkoja negociata”. /reuters/