OPINION

Për tekstet fyese mësimore në Maqedoninë e Veriut, fajet janë tonat

Shkruan: Fatmir SULEJMANI
Javëve të fundit është aktualizuar me të drejtë dhe kush e di për të satën herë problemi i teksteve mësimore me përmbajtje fyese për shqiptarët. Poshtërimet janë shtrirë në të gjitha librat shkollorë, veçmas në tekstet mësimore të lëndëve me aromë etnie si: Historia, Gjeografia, Arsimi Muzikor…, që përgatiten nga autorët joshqiptarë.

Dhe, gjersa ne jemi përqendruar në tekstet e Historisë e Gjeografisë, nga i cili nxënësit shqiptarë mësojnë se janë pasardhës romësh e çerkezësh që e paskan  kolonizuar tokën e shenjtë të maqedonasve të sotëm, kemi lënë pas dore tekstet e lëndëve të tjera, si ato të Arsimit muzikor, që janë ndoshta më fyeset dhe më skandalozet e mundshme, duke qenë se nuk kanë asnjë lidhje me muzikën dhe kulturën shqiptare. Madje janë shkruar gati tërësisht në dy gjuhë, kuptohet: para maqedonisht pastaj në shqip.

Tekstet e lëndës në fjalë, që nga klasa e IV gjer në klasën e IX (ndoshta dhe më herët, sepse nuk arrita të siguroj gjithë tekstet…) kanë të bëjnë kryekëput me folklorin maqedonas, me muzikën maqedonase, me tekstet e këngëve maqedonase (të përkthyera më pas nga maqedonishtja në shqip), me instrumentistët, me solistët, me kompozitorët, me dirigjentët me këngëtarët dhe me gjithçka maqedonase dhe vetëm maqedonase.

Këto janë arsyet përse i quajta tekste fyese dhe skandaloze (këtë e kanë bërë dhe disa të tjerë para meje), sepse qëllimi i tyre nuk është arsimimi muzikor i nxënësve shqiptarë, po asimilimi shpirtëror i tyre, i toleruar pabëzajtur me dekada nga klasa politike dhe intelektuale shqiptare, tamam sikur të ishte fjala për fëmijë çerkezësh të largët.

Nga e sipërthana vetëkuptohet se këto tekste kanë vetëm titullin shqip, pra vetëm fasadën, që mjafton për t’na vënë në gjumë dhe për ta bërë të padukshëm anën përmbajtjesore, me të cilën bëhet injektimi i viruseve në damarët e ardhmërisë sonë, që dalëngadalë tjetërsojnë, sfilitin e shpëlajnë shpirtin e fëmijëve tanë nga tiparet identitare.

Po sjell në vijim vetëm disa tituj këngësh me të cilët e nxënë artin e magjishëm fëmijët tanë, vetëm disa vargje të teksteve të këngëve në fjalë, disa emra njerëzish që përmenden në tekste këngësh, disa kompozitorë, dirigjentë, solistë, këngëtarë, instrumentistë…

Të shkojmë me radhë:

Tituj këngëshКрај Вардара седеше, калино моме”, “Насред село тапан чука”, “Денес е Божик, пресветол ден”, “Под дрво седи млад јунак”, “Мајка на Маринка думаше, земи го ќерко Ѓорѓија”, “Куќа  имам в Пелистер”, “Ој, Лијарче бога моли”…

Tekste këngësh (të përkthyera në shqip): Миле има коцка мала, тој ми вели не е шала./  Волшебна е душа има, чудно нам ни дава сила. – Mile ka kub magjik, ai më thotë nuk është shaka. Shpirti i tij është magjik,/ për çudi na jep fuqi; Ој, Лијарче бога моли,/ Ојлие, ој лије – Moj Lijarkë, lutju zotit, ej lije, ej lije…; Ване, Мирјана, сите дечиња./ Скок, скок, скокаме, игра играме… – Vane, Mirjana, të gjithë fëmijët./ Kërcim, kërcim, kërcejmë, lojë luajmë…

Emra që përmenden në tekste këngësh: Stanko, Dime, Mile, Pallavko, Millka, Jana, Tanja, Martin, Rada, Vane, Mirjana…

Kompozitorë: Kiril Makedonski, Trajko Prokopiev, Risto Avramovski, Toma Preshev, Dimitrije Buzharovski, Aleksandër Xhambazov, Todor Skallovski, Goce Kollarovski…

Dirigjentë: Tomisllav Shopov, Oliver Balaburski, Aleksandar Lekovski, Sasha Nikollovski-Gjumar, Borjan Canev, Bisers Cadllovska…

Solistë operistikë: Boris Trajanov, Vesna Ginovska-Ilkova, Nikola Gogjov, Millka Eftimova, Sllavica Petrova-Galiq, Cvetan Stojanovski, Gabriela Georgieva, Igor Durlovski, Ana Durlovski, Blagoj Nacoski…

Instrumentistë: Dragan Trajkovski, Ninosllav Dimov, Stojan Dimov, Gorfana Josifova, Vaso Ristov, Kiril Ribarski, Aleksadar Goshev, Simon Trpçevski, Zorica Karakutovska…

Natyrisht, kjo nuk është e tëra, sepse autorët maqedonas të librave të Arsimit muzikor për nxënësit shqiptarë janë kujdesur edhe për elementet tjera të kësaj fushe, ku bëjnë pjesë dhe vallja Тешкото”…; kompozimet: “Mbreti Samoil”, “Vallja sllovene”…; këngët e Krishtlindjes…; festivalet dhe manifestimet më të rëndësishme muzikore, si: Xhaz festivali i Shkupit, Mak festi – Shtip, Ohri fest – Trubadurët e Ohrit, Vera e Ohrit, Ditët e muzikës Maqedonase…

Autorët joshqiptarë të teksteve shkollore të përkthyera në gjuhën shqipe kanë përzgjedhur për nxënësit shqiptare edhe ninulla të bukura maqedonase, edhe tekste e njësi mësimore mbi folklorin maqedonas e hajt bir. Të sigurt në durimin, tolerancën, moskokëçarjen dhe butakësinë tonë kronike, ata nuk i fshehin fare edhe gjërat skajshmërisht poshtëruese për etnitë me pak dinjitet, që s’lejojnë t’u vë samaret i rrjepti e i shqepti. Për ta ilustruar këtë, po marr si shembull njësinë që flet për traditat e bashkësive të ndryshme në vendin e çudirave, nga e cila mësojmë se në Maqedoninë PErëndimore maqedonasit kanë Dasmën tradicionale të Galishnikut; romët kanë traditën e festimit të Shën Gjergjit, me çrast pjekin qengja; kurse bashkësitë etnike myslimane (ku bëjmë pjesë edhe ne bashkë me turqit, ashkalinjtë, boshnjakët…), kanë traditën e filijimit të bagëtisë, kurbanit, i cili ndahet më pastaj për shpirtin e të vdekurve…

Siç mund të shihni, në këto libra shkollorë nuk ka asgjë shqiptare: asnjë tekst, asnjë këngë dhe asnjë emër shqip, asnjë kompozitor asnjë këngëtar, asnjë muzikant, asnjë dirigjent, asnjë kompozitor, asnjë solist, asnjë instrumentist, asnjë koreograf, asnjë ninullë asnjë këngë folklorike shqiptare… Nuk ka asgjë prej gjëje, ndaj shtrohen pyetjet: a mund të quhen shëmtirat e këtilla tekste shkollore dhe kush i ka fajet për këtë turp të cilin e hamë me dekada si gjellën tonë të përditshme?

Unë them me gojën plot: s’ka fajtorë të tjerë përveç nesh, të dashurit e mi. Prandaj, duhet ta drejtojmë gishtin jo në drejtim të tjetrit, po nga vetvetja. Janë me dhjetëra ministrat shqiptarë të arsimit që janë më përgjegjësit për atë që ndodhi e po ndodh me tekstet mësimore në gjuhën shqipe, që nga viti 1991 e këndej. Ndaj, nëse duhet dikush të mbajë përgjegjësi për këtë situatë, ata janë ministrat shqiptarë të arsimit pa asnjë përjashtim. Natyrisht, fajet më të mëdha i kanë subjektet politike që nguten t’u gjejnë njerëzve punë, jo punëve njerëz të zot. Faje ka dhe klasa heshtake intelektuale, e cila duhet të jetë më e zëshme në raste të këtilla. Ajo duhet të ketë marrë para të tjerëve mësimet e të urtëve të botës, si puna e Dantes, i cili  për intelektualët e etnive të fjetura si puna jonë, që në mesjetë shkroi vargjet:

Askush mos të harrojë se është njeri

ju le nuk keni për t’gjallue si shtazë,

po për të ndjek virtyt e dituni…