EKONOMI

Për shkak të masave anti-covid, shumë biznese rrezikojnë të mbyllen – thonë gastronomët

Përmes një postimi në llogarinë e tyre zyrtare, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, saktësisht Kryetari i kësaj shoqata Petrit Kllokoqi ka shkruar një kërkesë për Kryeministrin Avdullah Hoti dhe Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj – shkruan Kosova.info

Kërkesa ka të bejë me shfuqizimin e pikës 2 dhe 18 të Vendimit Nr. 01/17 të dt. 28/07/2020, lidhur me zgjatjen e orarit të qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre dhe lidhur me orarin e funksionimit të subjekteve të shërbimeve të Gastronomisë.

Postimi i plotë:

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës është organizatë e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse. SHGK është Shoqatë sektoriale që operon në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, e cila është institucioni i vetëm i biznesit të themeluar me ligj në Republikën e Kosovës dhe veprimtaria jonë e përbashkët zhvillohet mbi bazën e këtij Ligji (Ligji mbi Odën Ekonomike të Kosovës 2004/7) të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Me qëllim të përfaqësimit, mbështetjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të industrisë së gastronomisë në Kosovë, dhe duke u bazuar në rrethanat aktuale të sektorit, SHGK vjen me propozim dhe kërkesë adekuate e cila mund të aplikohet me vendim nga insitucionet përkatëse në kuptim të përkrahjes së sektorit tonë, gjithmonë duke pasur parasysh kujdesin në parandalimin dhe mospërhapjen e pandemisë COVID – 19.

SHGK që prej themelimit të saj, aktivitetet që i ushtron i ka të bazuara në të drejtat e garantuara me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Me kërkesë të anëtarëve të saj, shoqata ka lëshuar një peticion me datë 01.09.2020 me anë të së cilit kërkohet zgjatja e orarit të qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre nga ora 22:30, në 00:00 deri në ora 05:00.

Pas përfundimit të procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, SHGK këtë peticion do t’iu dërgojë pranë institucioneve tuaja, me anë të së cilit kërkohet ndryshimi i vendimit lidhur me pikën e sipërcituar. Ne si shoqatë, me anë të kërkesave të anëtarëve tanë, bëjmë thirrje që vendimi aktual i Qeverisë së Republikës së Kosovës të shfuqizohet, dhe përveç kësaj natyrshëm kërkojmë edhe zgjatjen e orarit të punës për sektorin e gastronomisë deri në ora 00:00.

Gjendja aktuale në vendin tonë sa i përket sektorit që mbulojmë dhe për të cilin avokojmë është tepër shqetësuese. Si rrjedhojë e masave të ushtruara nga ana e institucioneve të Kosovës, shumë biznese rrezikojnë të mbyllen nga pengesat që janë shkaktuar në afarizmin e tyre.

Deri më tani nuk kemi pasur asnjë mbështetje të drejtëpërdrejtë ndaj bizneseve nga institucionet tona, por vetëm ndaj punëtorëve me anë të Pakos Emergjente, dhe kjo me shumë lëshime në zbatimin e saj.

Andaj, në mirëkuptim dhe konsideratë ndaj situatës së krijuar, kërkojmë nga ana juaj që të trajtoni me prioritet të lartë kërkesat tona dhe të ofroni ndihmë ndaj bizneseve që fatkeqësisht renditen si një prej më të goditurave në vend.

Hapat e ardhshëm dhe aktivitetet që do të ushtrohen nga ana e shoqatës do të jenë gjithnjë demokratike dhe në përputhje me qëndrimet dhe vendimet e institucioneve të Kosovës.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës zotohet që do të ofrojë përkrahjen e parezervë për sektorin e gastronomisë dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke dhënë shërbimet profesionale për tejkalimin e kësaj rrethane, dhe duke ofruar alternativat më adekuate në mënyrë që efektet e kësaj krize të manifestohen me pasoja sa më të vogla.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës,

Petrit Kllokoqi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.