Kosova

Për rrugën në Malishevë, fajin e ka ‘natyra’

Kanë mjaftuar reshjet e shiut dhe borës për të vënë në pah cilësinë e dobët të ndërtimit të rrugëve, kryesisht atyre magjistrale dhe lokale në Kosovë.

Një nga rrugët e cila u dëmtua nga vërshimet që përfshiu Kosovën gjatëve ditëve të fundit, ishte rruga Rud-Sverkë në Komunën e Malishevës me gjatësi 4 kilometra, e cila ishte inauguruar në prill të vitit të kaluar.

Dëmtimi i kësaj rruge dhe disa të tjerave vuri në dyshim cilësinë e tyre.

Sverkë.
Sverkë.

Në Ministrinë e Infrastrukturës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kjo ministri ka financuar këtë projekt në vlerë prej 267,270 euro, ndërsa autoritet kontraktues ka qenë Komuna e Malishevës.

“Kontrata është nënshkruar në mes të operatorit ekonomik dhe Komunës së Malishevës. Sa i përket cilësisë së punimeve dhe masave që do të merren ndaj operatorit ekonomik duhet të kontaktoni Komunën e Malishevës, si autoritet kontraktues”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie dërguar REL-it.

Në Komunën e Malishevës, zëdhënësi Artan Paçarizi, tha për Radion Evropa e Lirë se komuna do ta vlerësojë dëmin, e më pas mund të kërkojë edhe vlerësimin e shkaqeve të dëmtimit të rrugës. Sipas tij, kjo rrugë është dëmtuar nga vërshimet, por më pas mund të analizohet edhe nëse ka shkaktarë të tjerë.

“Sa i përket cilësisë së ndërtimit të rrugës, nuk e marr guximin të them se është cilësi e dobët apo e mirë, pasi ndërtimi i saj i është nënshtruar një procedure të caktuar dhe një procesi deri në përfundim dhe për këtë çështje nëse ka qenë cilësor apo jo, mendimin apo vlerësimin mund ta japin vetëm ekspertë të fushës, pas analizës së bërë”, thotë Paçarizi.

Ekspertë të fushës të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë vënë dyshime në projektimin e ndërtimit të kësaj rruge, por edhe të shumë rrugëve tjera që ndërtohen në Kosovë.

Grajçevci: E dhimbshme dëmtimi i një rruge të sapoasfaltuar

Florim Grajçevci, ekspert i inxhinierisë së ndërtimit dhe profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë, tha për Radion Evropa e Lirë se në raste të ndonjë fatkeqësie natyrore mund të bëhen dëmtime në një shkallë të caktuar, por te ndërtimet që janë me cilësi më të dobët, dëmet janë më të mëdha krahasuar me një ndërtim që ka cilësi më të mirë.

Fatkeqësia më e madhe, shton profesor Grajçevci, është që shihen dëmtime të shkallës së madhe në një rrugë e cila është bërë rishtas.

“Ajo që mund të them është që secila punë që kryhet, kryhet me një përshkrim të përcaktuar mirë si p.sh se cilat janë shtresat që duhet të bëhen, sa duhet të bëhet ngjeshja e tyre (rrugës në këtë rast), cila duhet të jetë temperatura e shtruarjes së asfaltit e të tjera, dhe të gjithë këto janë kondita teknike që japin përformacën e një rruge e cila është e asfaltur”, thotë Grajçevci.

Rrugët në afërsi të lumenjeve, me specifika të veçanta

Profesor Grajçevci thotë se kur një rrugë ndërtohet në afërsi të lumenjve apo në afërsi të zonave ku mund të ketë vërshime të mundshme, duhet t’i u bëhen dranazhimet, që në këtë rast do të kishin mundur të parandalonin dëmtimet direkte.

Kur ndërtohet një rrugë, thotë Grajçevci, duhet të kërkohen standardet e asaj rruge.

Sipas tij, nuk mund të jetë faji vetëm të punëkryerësi, por edhe tek ata që kanë kontraktuar një projekt dhe kriteret që ata kanë përcaktuar.

“Nuk mund të jetë fajtori vetëm ai që e ka ekzekutuar sepse nëse unë kam kontraktuar një rrugë që do të ketë 7 cenimetra asfalt, atëherë ai 7 centimetërsh nuk i reziston atyre faktorëve të jashtëm dhe jetëgjatësia e asaj rruge do të jetë më e shkurtër”, thotë ai.

Kompania i vë fajin vërshimeve

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar kompaninë ‘Rea Shpk’ në Klinë, e cila ka bërë ndërtimin e kësaj rruge që u dëmtua nga vërshimet.

Përmes një përgjigje me shkrim nga kjo kompani është thënë se rruga Rud-Sverkë është punuar me standarde të larta të ndërtimit dhe në përputhje të plotë me dokumentet tenderuese – paramasën e dosjes së tenderit.

“Gjatë ekzekutimit të punimeve i kemi bërë të gjitha testet e kërkuara për ndërtimin e kësaj rruge. Hapësirë për dyshim nuk ka. Fatkeqësitë natyrore nuk mund të ndalen, ka pasur reshje të mëdha atmosferike që kanë shkaktuar edhe dëmtimin e rrugës”, thonë nga kjo kompani.

Kabashi: Asfalti nuk paraqet trupin e rrugës

Ndërtimi i rrugëve lokale, për Naser Kabashi, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës shpeshherë nuk trajtohet si duhet dhe shihet një neglizhencë nga autoritetet kompetente.

“Shpeshherë bëjmë një rrugë sa për ta bërë dhe kjo shpeshherë na sjell probleme. Vërshimet janë fatkeqësi natyrore që ndodhin, por qëllimi është të minimizojmë ato”, thotë Kabashi për REL.

Vërshimet përmes fotografive
FotogaleriVërshimet përmes fotografive

Ai thotë se në rastin e dëmtimit të rrugëve nuk do të duhet të jetë në fokus kualiteti i asfaltit, pasi që asfalti shërben për lehtësimin e zhvillimit të komunikacionit dhe asnjëherë nuk paraqet trupin e rrugës.

“Nëse dëshirojmë të analizojmë këtë nuk fillohet prej shtresës së epërme (asfaltit) sepse nuk bëjmë asgjë, por duhet të analizojmë konstruksionin e rrugës dhe çka është më e rëndësishme është se projekti kur bëhet për një rrugë duhet të ketë një analizë detaje të rrjedhave të ujit dhe masat që ndërmerren për largimin e ujit, si dhe aspekte tjera”, thotë Kabashi.

Qasja e drejtë e projektit të një rruge, shton Kabashi, mundëson minimizimi e problemeve që po shfaqen në rrugët e Kosovës, kur po ndodhin vërshimet.

Paratë e tatimpaguesve po shkojnë dëm

Dëmtimi i rrugëve të sapondërtuara dhe të gjitha me buxhetin e shtetit të Kosovës, për Diana Metushi Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tregon një neglizhencë insitucionale. Sipas saj, në këtë rast, përveç që ka lejuar që paratë e tatimpaguesve të shkojnë dëm, gjithashtu ka ndikuar në vështirësimin e jetës së qytetarëve.

“Dikush duhet të përgjigjet për këto humbje të shumëfishta”, thotë Metushi Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Viteve të fundit infrastruktura rrugore ka mbizotëruar investimet në Kosovë. Përveç ndërtimit të rrugëve lokale e magjistrale, janë ndërtuar edhe autostrada që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe të Evropës.

Gjatësia e rrugëve në gjithë territorin e Kosovës në vitin 2019, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishte 2.311,7 kilometra, prej tyre 2.210,7 të asfaltuara, ndërkaq të pa asfaltuara vetëm 101 kilometra.

Vërshime të këtij niveli edhe më 2016

Në vitin 2016, Kosova kishte pasur pothujse një situatë të tillë nga vërshimet. Disa nga komunat që më se shumti ishin dëmtuar në ato kohë ishte ajo e Malishevës dhe Shtimes.

Dëmi në atë kohë, sipas të dhënave të Komunës së Malishevës, ka qenë deri në 1 milion euro, ndërsa në Komunën e Shtimes dëmet ishin rreth 400 mijë euro.

Për sanimin e dëmeve nga vërshimet që ndodhën gjatë ditëve të fundit, kryeminstri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar themelimin e Fondit Emergjent.