Kombëtare

Për mungesë të rrymës banorët e “Emshirit” bllokuan rrugën, u desh ndërhyrja e Policisë

Banorët në rrugën “Agim Çela” në lagjen “Emshir” në kryeqytet, që nga mëngjesi i së mërkurës kanë mbetur pa energji elektrike.

Sipas tyre, KEDS-i, pa paralajmërim, ua ka ndërprerë energjinë, duke i lënë në terr, raporton KTV.

Për këtë, banorët, të enjten nga ora 16:00, kanë bllokuar rrugën “Agim Çela”, në shenjë pakënaqësie.

Për ta zhbllokuar rrugën, u desh edhe intervenimi i Policisë.

Sipas banorëve, konflikti ka ndodhur derisa KEDS-i po tentonte ta shtrinte rrjetin e ri elektrik në këtë lagje, nën dhe. 

Banorët thonë se një person i cili pretendon se posedon dokumentacion që është pronar i rrugës, nuk e ka lejuar ekipin e KEDS-it të kryejë punimet. 

Banorët të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, i kanë thënë KTV-së se personi që i ka ndaluar punimet, i ka kërkuar kompensim prej 200 mijë eurosh KEDS-it.

Asnjë shtëpi në këtë lagje nuk ka energji elektrike, përveç shtëpisë që sipas banorëve, i përket prokurorit Haxhi Dërguti, të cilit KEDS-i ia ka lëshuar energjinë elektrike, duke e lënë në terr pjesën tjetër të lagjes.

KTV-ja ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga prokurori Haxhi Dërguti, por i njëjti e ka pasur telefonin e fikur.

E, në KEDS thonë se disa banorë e kanë penguar finalizimin e punimeve, përderisa kanë pranuar se e kanë kyçur prokurorin Dërguti në rrjet për siç kanë thënë arsye sigurie.

Banorët thonë që, përveç dëmeve materiale, fëmijët janë detyruar që të mësojnë në kushte të tilla.

Ata janë shpërndarë të qetë, pas intervenimit të Policisë së Kosovës, duke paralajmëruar protesta ditëve në vijim.