Kosova

Për këtë u morën vesh LVV e LDK, ja persona vendosin për president

Nga tri pozitat më të larta udhëheqëse politike në Kosovë, partitë që po synojnë formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë pajtuar për njërin post, atë të kryeministrit, i cili i është besuar partisë fituese të zgjedhjeve (LVV) dhe kandidatit të saj, Albin Kurti.

Ndërkaq, për dy pozitat tjera, atë të kryetarit të Kuvendit, por edhe atë të Presidentit të Kosovës, që mund të zbatohet pas skadimit të mandatit kushtetues të presidentit aktual, Vetëvendosje dhe LDK mbetet të diskutojnë në nivelin e takimeve të liderëve të të dy partive.

Bisedimet edhe për postin e Presidentit, i konfirmoi vetë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha të premten pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së se para se të formohet Qeveria, me Lëvizjen Vetëvendosje do të merren vesh edhe për postin e Presidentit.

Ai tha se nuk ka shprehur personalisht dëshirën për këtë post, por u shpreh në favor të marrëveshjes edhe për pozitën e shefit të shtetit.

Presidenti aktual, Hashim Thaçi ka mandat kushtetues deri në vitin 2021. Por, pavarësisht këtij fakti, Vetëvendosje dhe LDK-ja paralajmërojnë edhe mundësinë që qysh tani të arrihet marrëveshja edhe për presidentin që do të zgjidhej më 2021.

Ndërkohë, gjatë takimeve në nivelin e grupeve punuese, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, sipas përfaqësuesve të tyre, janë dakorduar rreth programit qeverisës.

Ky dakordim, sipas analistit të Grupit për Studime Juridike e Politike, Përparim Kryeziu, paraqet një të arritur në kuadër të negociatave për koalicion.

“Raportimet ë fundit dëshmojnë që ka një përafrim të programeve të dy partive që buron nga vullneti dhe bashkëpunimi mes të dy partive, ndonëse ato u takojnë dy krahëve të ndryshëm të formimit politik. Kjo është shumë e rëndësishme për faktin që suksesi i qeverisë varet pikërisht nga programet qeverisëse”, tha Kryeziu për Radion Evropa e Lirë, transmeton Kosova.info.

Gjatë negociatave, një energji të konsiderueshme Vetëvendosja dhe LDK-ja e kanë shpenzuar edhe në reduktimin e numrit të ministrive. Nga 21 ministri sa ka Qeveria në largim e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, koalicioni i ardhshëm po pretendon të reduktojë numrin në 12 ministri, prej të cilave 10 do t’u takonin Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe dy subjekteve nga komunitetet jo shumicë, përkatësisht një për komunitetin serb dhe një për komunitetet jo serbe.

Përparim Kryeziu thotë se dy kryetarët e partive më të mëdha, e kanë për obligim që ta përmbyllim procesin e negociatave me marrëveshje, në mënyrë që Kosova ta ketë sa më shpejt Qeverinë e re.

“Duke e pasur parasysh që Kosova gjendet në një moment shumë të rëndësishëm historik dhe duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit që kanë treguar një vullnet të qytetarëve për ndryshim, konsideroj që këto dy parti kanë një përgjegjësi kombëtare që të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt. Të formojnë Qeverinë dhe të sigurohen që të përmbushin të gjitha zotimet, me të cilat e kanë marrë besimin e votuesve gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit”, theksoi Kryeziu.

Gjatë bisedimeve ndërmjet grupeve punuese, përfaqësuesit e të dy subjekteve politike kanë deklaruar se kanë fuzionuar pika të përbashkëta programore në mënyrë që të arrihet deri te një program unik qeverisës.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se strategjia e të dy partive ka qenë që të arrihet pajtueshmëri sa më e madhe, nisur nga pikat e përbashkëta, për të arritur deri te zgjedhjet pak më të vështira.

“Janë bisedime serioze, ashtu siç e ka vendosur qytetari i Kosovës me votën e vet për ndryshimet e nevojshme në Kosovë”, theksoi Konjufca.

Pas takimit të fundit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, Avdullah Hoti nga LDK-ja deklaroi se pajtimi rreth pikave programore është arritur, kurse organeve të partisë dhe liderëve tani u mbetet të vendosin për çështjet tjera.

“Për aq sa ne kemi qenë të mandatuar, jemi dakorduar për strukturën e Qeverisë dhe formën se si do të strukturohen institucionet. Tash u përket liderëve politikë të vendosin për formimin e Qeverisë”, ka thënë Hoti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.