SPORT

Për çka FFK-ja i paralajmëron gjyqtarët

Pas rifillimit të garave në Superligën e Kosovës në futboll, arbitrat vazhdimisht janë në qendër të vëmendjes, por jo për të mirë. Llapi, Trepça ’89 dhe së fundmi Prishtina kanë hedhur kritika dhe akuza të rënda në drejtim të gjyqtarëve dhe organeve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), që i delegojnë ata.

Lidhur me akuzat e shumta, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka paralajmëruar se gjyqtarët që bëjnë gabime do ta marrin dënimin e merituar dhe se nuk do të ketë më lëshime. Madje, ai insiston se atyre mund t’iu merren edhe stemat e FIFA-s, nëse vazhdojnë të gabojnë.

“Mendoj që duhet me iu thënë stop. Nuk na intereson UEFA e FIFA kur dëmtohet klubi në mënyrë substanciale. Duhet me largu, duhet me gjet formën. E kemi në plan që të konsultohemi edhe me FIFA-n, në mënyrë që të gjemë formën që ai gjyqtar që në mënyrë substanciale e dëmton një klub, të largohet për një kohë të gjatë dhe të marrë dënimin e merituar, përfshirë edhe heqjen e stemës së FIFA-s”.

Salihu pranoi se në disa ndeshje klubet janë dëmtuar me vendimet e gjyqtarëve.

“Ka ardhur koha dalëngadalë me ba prerje në sistemin e referimit. Duhet të kërkojmë ndihmë edhe nga FIFA, pasi ajo është kompetente. Mendoj që ka ardhur koha të ndryshojë edhe forma e përfaqësimit të kontrollorëve dhe vëzhguesve. Të profesionalizohen sa më shumë, në mënyrë që klubet të mos kenë arsye të ankohen. Në anën tjetër, klubet duhet të përmbahen. Ku keni parë që trajnerët të bëjë ofendime pas çdo ndeshje?”, u shpreh Salihu.

KOHA ka provuar të flasë me ish-gjyqtarë dhe njohës të ndarjes së drejtësisë, por disa prej tyre nuk kanë pranuar të flasin, siç nuk ka dashur të prononcohet as kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve, Përparim Hasani. Por ish-futbollisti, tani trajner e analist, Faruk Statovci, thotë se Prishtina është dëmtuar nga gjyqtarët kundër Gjilanit. E po ashtu edhe Trepça ’89, në disa ndeshje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483