Kosova

Për çka akuzohej ish-prokurori që u gjet i vdekur sot në Prizren

Në mëngjesin e sotëm, është gjetur i vdekur ish-prokurori Agron Matjani.

Ai është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren, e që vdekja e tij po trajtohet si e dyshimtë.

Prej kohësh punon si prokurori ndërsa ndaj tij ka pasur raste të hapura.

E një muaj më parë, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Pra, aktakuza ishte ngritur me 05.11.2019.

Ai ishte duke u gjykuar nën akuzat e prokurorisë se në disa raste penale, në cilësinë e personit zyrtar- prokuror, në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, dhe në këtë mënyrë për kryesit e veprave penale ka siguruar dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer.

Sipas Prokurorisë, i njëjti në cilësinë e personit zyrtar – Prokuror i Shtetit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjakovë – me dashje e kishte keqpërdorur pozitën dhe detyrat e prokurorit.

Siç ishte raportuar, Agron Matjani, që ishte prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, po hetohej për një kanosje që dyshohet t’i ketë bërë gruas së vëllait të tij (Ali Matjanit), të dëmtuarës S.M.

Rasti ishte raportuar se ka ndodhur në javën e parë të nëntorit 2018 në Prizren, ditën kur ishte mbajtur një seancë gjyqësore në të cilën prokurori Matjani e kishte përfaqësuar vëllain e tij, i cili ishte palë në këtë çështje.


Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.