Show Biz

Pensionohet DJ më i vjetër në botë

Është pensionuar pas 72 vjetëve punë në radio DJ më i vjetër në botë, Ray Corderio.

I njohuri si “Xha Ray” për më shumë se pesë dekada ka udhëhequr emisionin “All the Way with Ray” që transmetohet nga e hëna deri të premten në Radio Televizionin e Hong Kongut.

Largimin nga ky transmetim, ai po e bën siç thotë për të shijuar pjesën e mbetur të jetës.

Përgjatë karrierës së tij “Xha Ray” intervistoi figura të famshme në Hong-Kong e jashtë tij, përfshirë këtu edhe The Beatles, përderisa mori edhe mirënjohje dhe dekorata.

Në vitin 2000, kur kishte vetëm 51 vite pune, ai u vlerësua nga Libri i Rekordeve Botërore Guinness si ’’DJ me karrierën më të gjatë”.

Dëgjuesit do të mbajnë mend Cordeiron për zërin e tij të qetë dhe muzikat që ai transmetonte.

Në emisionin që mori fund në orët e para të së shtunës, veterani i radios zgjodhi hitin e Sarah Brightman dhe Andrea Bocelli “Time To Say Goodbye” për t’iu dhënë lamtumirën dëgjuesve të tij.