Rajoni

Pendarovski: NATO –ja është ndër tre momentet historike për Maqedoninë e Veriore

Anëtarësimi ynë në NATO është një nga tre momentet më të rëndësishme në historinë më të re, nga pavarësia jonë deri më sot, deklaroi presidenti i shtetit Stevo Pendarovski në një video-fjalim të regjistruar më parë të transmetuar sot në online-debatin me temë “Kërcënimet globale, rreziqet, sfidat, mundësitë dhe anëtarësimi në NATO”.

“NATO është parakusht për zhvillim. Nëse keni kufij të garantuar, siguri dhe integritet territorial, mund të përparoni në çdo fushë tjetër sepse i keni të gjitha parakushtet tjera”, tha Pendarovski.

Në diskutimin e organizuar nga Fakulteti për Siguri në Shkup dhe Qendra amerikane për arsim me rastin e 4 Prillit – Ditës së NATO-s dhe anëtarësimin e plotfuqishëm të Maqedonisë së Veriut në Aleancë, Pendarovski uroi që këto dy ngjarje “t’i festojmë të gjithë së bashku, ballë për ballë” vitin e ardhshëm.

Pendarovski tha se ai kishte një ndjenjë të veçantë të kënaqësisë duke pasur parasysh angazhimet e tij të mëparshme të punës rreth 20 vite të ndërlidhura me NATO-n. Para se të bëhej president, ai ka qenë koordinator kombëtar për NATO-n dhe këshilltar për NATO-n për dy presidentë.

Duke folur për atë se si NATO i përgjigjet pandemisë me Covid-19, kreu i shtetit përkujtoi se disa ditë më parë për herë të parë në historinë e Aleancës u mbajt një video konferencë për sigurinë dhe se për këtë muaj është caktuar një takim i jashtëzakonshëm i ministrave të mbrojtjes të vendeve-anëtare, ndërsa fokusi kryesor do të jetë përballja me coronavirusin dhe përshtatjen në përpjekjet e përbashkëta të vendeve të caktuara.

Ai shtoi se NATO bën gjithçka, që kjo krizë shëndetësore të mos shndërrohet në një krizë sigurie dhe i përcjell të gjitha rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Pendarovski foli edhe për fushatat për dezinformim të publikut, duke theksuar se Maqedonia e Veriut merr mbështetje të jashtëzakonshme informative nga NATO në pjesën e, siç tha ai, depërtimin e të vërtetës deri te përdoruesit e fundit dhe me këtë i hedh poshtë lajmet e rreme që kanë për qëllim të minojë besimin e qytetarët tanë në institucionet dhe sistemin.