Kosova

Pejë: Arrestohen tetë persona të dyshuar për vjedhje

Policia e Kosovës, respektivisht stacioni policor në Pejë, me qëllim të ngritjes së sigurisë në zonën e përgjegjësisë që ka, vazhdon me aktivitete të shtuara në zbatimin e ligjeve dhe në zbulimin e kryesve të veprave penale të të gjitha fushave, vjedhjeve, vjedhjeve të rënda, pengimin dhe kapjen e kryesve të veprave të ndryshme penale, duke zbatuar  autorizimet dhe kompetencat sipas ligjit.

Në kuadër të këtyre autorizimeve dhe kompetencave, nga Njësia e Hetimeve në stacionin policor në Pejë, në bashkëpunim me njësitë  tjera punuese dhe në bashkëpunim me qytetarët e kësaj zone, gjatë një pune të gjatë të palodhshme dhe të vazhdueshme  operativo – hetimore, ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë  një grup prej pesë (5)  personave të dyshuar që kanë kryer vjedhje të bagëtive në disa fshatra të komunës se Pejës dhe në disa fshatra të qyteteve  të tjera të Republikës së Kosovës, dhe tre (3) persona të cilët kanë blerë bagëti nga të dyshuarit që nga viti 2017 e deri me tani.

Në lidhje me rastet është njoftuar prokurori i shtetit dhe të gjitha veprimet policore në teren janë ndërmarrë në koordinim me të njëjtin.

Në shtëpinë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale:  disa bagëti si dhe automjetet të cilat janë përdorur për t’i kryer veprat penale.

Katër (4) nga personat e arrestuar janë dërguar në Gjykatën Themelore në Pejë dhe të gjithëve iu është caktuar masa e paraburgimit prej një (1) muaji.

Policia e Kosovës i falënderon qytetarët e kësaj zone të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë ndihmuar policinë pa hezituar në raportim të dukurive negative kriminale brenda shoqërisë sonë, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund dhe duhet të krijojmë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në komunën e Pejës dhe të rajonit në përgjithësi.

Andaj, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen me policinë e shtetit të Kosovës. /Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.