Kosova

Peja me gjashtë raste me të infektuar me koronavirus, një në gjendje më të rëndë

Gjashtë raste me koronavirus janë konfirmuar deri tani në Komunën e Pejës. Mbrëmë nga kjo komunë janë përcjellë mostrat edhe për një rast të dyshuar dhe rezultatet pritet të dalin sot gjatë ditës. Për gjendjen atje është deklaruar drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci.

Në një prononcim, Loci ka thënë se janë në pritje të rezultateve për një person të dyshuar për COVID-19.

Ai ka folur edhe për gjendjen e gjashtë të infektuarve në këtë komunë. Sipas tij, pacientja e parë e infektuar është në gjendje më të rëndë, derisa pesë të infektuarit e tjerë janë në gjendje stabile.

“Gjendja është e mirë. Mbrëmë e kemi përcjellë një mostër në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe ende po presim për rezultatin. Deri tash i kemi gjashtë të infektuar. Një prej të infektuarve, pra pacientja zero është në gjendje më të rëndë, derisa pesë të tjerët janë në gjendje stabile, pra nuk kanë asnjë komplikim dhe po trajtohen në vetëizolim”, ka thënë Loci.

Loci ka treguar edhe për moshën e personave të infektuar. Personi më i ri i infektuar atje është një 29-vjeçar.

“Pacienti më i ri në moshë i infektuar nga komuna jonë është 29-vjeçar, derisa më i vjetri një 74-vjeçar. Të infektuarit janë me vit të lindjes, 1989, 1991, 1988, 1965, 1965 dhe 1946. Me funrizime me pajisje mbrojtëse qëndrojmë mirë, falë furnizimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe furnizimit që e kemi bërë me mjete vetanake, pra me buxhetin e komunës”, ka thënë Loci.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka konfirmuar edhe tri raste të reja me koronavirus. Me këto shifra, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 227, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 38.

“Sot më 09 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 117 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjithsej tre (3) prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.

Sipas IKSHP-së, të infektuarit janë nga Suhareka, Prishtina dhe Leposaviqi.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, një (1) rast me vendbanim nga Suhareka, një (1) rast me vendbanim nga Hajvalia-Prishtinë, një (1) rast me vendbanim nga Leshak- Leposaviq. Sot më 09 prill 2020, është shëruar edhe një (1) pacient, derisa numri i përgjithshshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej tridhjetë e tetë (38)”, njofton IKSHP-ja. /Gazeta Express