Kosova

Peci: Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor s’do të jetë çështje e gjeneratës aktuale politike

Lulzim Peci, drejtor i KIPRED-it, ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor s’do të jetë çështje e gjeneratës aktuale politike.

“Zgjerimi i BE-së në rajon, hiqe Malin e Zi që ndoshta disi do të kapërdihet, s’do të jetë çështje e kësaj gjenerate politike që është në pushtet. Do të marrë shumë kohë, nëse e marrim e shikojmë rastin e Serbisë, ajo ka progres minimal në kapitullin e 27-të dhe 28-të për sundimin e ligjit dhe qeverisjen. Me konceptin e ri francez do të vështirësohet edhe më tepër. S’shoh disponim në BE të ecet përpara me zgjerim në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Peci.

Në Deskun e KOHËS, Peci ka fajësuar edhe Bashkimin Evropian dhe pesë shtetet që s’e kanë njohur Kosovën shtet për jostabilitetin politik. Ai ka thënë se në Ballkan janë tri shtete të papërfunduara e si të tilla ka shtuar se këto do të kenë shumë problem të hyjnë në BE.

“Ata po kanë probleme fondamentale t’i japin liberalizimin Kosovës e lëre më hap më të madh që t’i marrin në BE këto vende. Për shkak të kësaj mund të humbë influencën në rajon. Ajo çka do të mund ta mbajë atë me ndikim janë pakot ekonomike e ndihma në ndërtimin e këtyre shteteve, mirëpo fatkeqësisht jostabiliteti në rajon që së pari është problem te BE-ja, pse kemi jostabilitet për shkak të këtyre vendeve që s’e kanë njohur Kosovën… Edhe pesë vendet që s’e kanë njohur Kosovën janë përgjegjëse. Nëse ato do ta njihnin Kosovën sot do të kishte situatë krejt tjetër, e madje edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi s’do të ishin problematike siç janë sot. Në Ballkanin Perëndimor janë tri shtete të papërfunduara: Kosova, Serbia e Bosnja e Hercegovina. Të tilla çfarë janë, të tria do të kenë probleme të mëdha të hyjnë në BE. Na duket se Shqipëria ka probleme të mëdha, por nëse ec me reformat në drejtësi e kundër krimit mund të del shpejt edhe përpara Serbisë. Por trekëndëshi i Bermudës, do ta ketë të vështirë të ecë përpara. Mund të vijë një ditë, por s’është punë e kësaj gjenerate politike në rajon”, ka deklaruar tutje ai.

Peci: Pozicioni i Kosovës karshi bashkësisë ndërkombëtare pësoi rënie të madhe nga 2015-a

Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it ka thënë në DESKU të KTV-së se Kosova i ka pesë vite të humbura, kur është në pyetje pozicioni i saj në raport jo vetëm me Evropën, por me bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi.

“Pozicioni i Kosovës në raport jo vetëm me Evropën, por në tërësi me bashkësinë ndërkombëtare ka pësuar një rënie të madhe që nga 2015-ta, prej kohës kur krijuam probleme të panevojshme lidhur me demarkacionin. Atëherë humbëm hapin që ta kalojmë demarkacionin dhe ta marrin liberalizimin e vizave në pako me Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Molldavinë”, ka thënë ai.

Peci tregon se kalimi i demarkacionit më pas nuk i solli efektet e duhura shkaku i ngritjes së të djathtës në Evropë.

“S’dua të bëj krahasim, por paramendojeni sikur të mos e kishim pranuar Rambujenë”, ka thënë ai, duke e nënvizuar rëndësinë që të mbahet hapi me procese.

E sa i përket problemit të pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ai ka thënë se për Kosovën problem kyç nuk është njohja nga Serbia, por stagnimi i shkaktuar prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian.

“Ky është problem fundamental me të cilin jemi duke u ballafaquar”, ka thënë ai, duke e nënvizuar se katër prej këtyre pesë shteteve janë edhe në NATO. Në këtë drejtim ai e ka përmendur faktin se deri rishtazi, SHBA-ja nuk ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në Kosovë, teksa e ka analizuar strategjinë e BE-së.

“Strategjia e BE-së ka qenë ta fusim Serbinë në procesin e aksesionit, që ajo të disciplinohet, gjë që do të mundësonte që të zgjidhen shumë më lehtë raportet në rajon. E kjo strategji e BE-së që t’i afrohet Serbisë, duke e lënë anash Kosovën, e ka sjellur këtë situatë me të cilën po ballafaqohemi”, ka thënë Peci, duke theksuar se këto janë informata të dorës së parë, duke qenë në shërbimin diplomatik.

I pyetur se sa ka gjasa që këto vende ta njohin Kosovën, Peci ka folur në rend të parë për Spanjën, duke thënë se ky shtet është në situatë delikate.

“Mendoj se Spanjës mund t’i jepet shans ta justifikojë njohjen, por politikës së jashtme spanjolle nuk i besohet dot, se shpesh e ka ndërruar qëndrimin”, ka thënë Peci.

Për të, prania e Spanjës në samitin e Zagrebit nuk është ndonjë “hap spektakular, por thjeshtë veprim për t’ia lehtësuar pozitën Borellit”.

Sa i përket samitit të Zagrebit, ai ka thënë se nuk ka pasur asgjë të re në të.

“Çfarëdo pritje tjera të kishim për këtë Samit, do të kishin qenë të gabuara. Ajo çfarë ka prodhuar Samiti i Zagrebit është krejtësisht normale dhe asgjë jashtë pritjeve”, ka thënë Peci.

Ai e ka cekur se në këtë samit është kërkuar për herë të parë që ndihma e BE-së në raport me ndihmën ndaj COVID-19 të përmendet nga shtetet.

“Kjo shkaku i Serbisë, që e çoi në qiell Kinën”, ka thënë ai.

Peci ka bërë të ditur se kishte qenë në një debat online me deputetë holandezë dhe ata kishin qenë tejet të shqetësuar me këtë qasje të Serbisë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.