Rajoni

PE-së “i vjen keq” që disa politikanë në Serbi e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë

Presidenti i sapozgjedhur i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian (PE), David McAllister, tha se PE-së i vjen keq që në disa qarqe politike në Serbi mohohet gjenocidi në Srebrenicë.

“Parlamenti Evropian është i qartë për këtë çështje. Neve na vjen keq që disa politikanë në Serbi vazhdojnë të mohojnë se masakra në Srebrenicë ka qenë gjenocid. Ky është qëndrimi zyrtar i PE-së”, tha McAllister.

Ai u zgjodh të mërkurën në krye të Komitetit për Politikë të Jashtme në përbërjen e re të Parlamentit Evropian, i cili gjithashtu përfshin marrëdhëniet me vendet në rajonin e Ballkanit.

McAllister, në mandatin e kaluar, ka shërbyer si raportues për Serbinë i PE-së.

Ai tha të mërkurën se i vlerëson të gjithë politikanët e Ballkanit Perëndimor, të cilët janë në favor të pajtimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdojnë ende.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

Të enjten, në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të shënohet 24-vjetori i masakrës së Srebrenicës.

Atje njëherësh do të bëhet varrimi kolektiv i 33 viktimave të masakrës, të identifikuara gjatë vitit të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.