Kombëtare

PDK kundër hyrjes me pagesë në Prishtinë

Deputetja e  PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se taksa e përfolur për lëvizje me makinë në Prishtinë është hap i fundit që mund të merret si vendim për menaxhim të lëvizjes së automjeteve në qendër.

Hoxha në konferencë për media tha se problemi me ajrin e ndotur dhe problemet tjera në kryeqytet qëndrojnë tek çështjet e brendshme komunale.

“Taksa është hapi i fundit në menaxhimin e lëvizshmërisë brenda një qyteti, atëherë kur të gjitha hallkat janë në funksion. Përtej ajrit të ndotur, nervoza është dukuri në rritje në mjediset shoqërore në Prishtinë. Thelbi i problemit nuk janë vetëm makinat nga jashtë, por çështje të brendshme, premtime të parealizuara si nga qeverisja e LDK-së ashtu edhe ajo e VV-së që kryeqytetin e kanë sjellë para kolapsit total. Taksa nuk mund të jetë shpëtimtari i kryeqytetit”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së ka thënë se shumë nga premtimet e dhëna, nuk janë realizuar as tash nga qeverisja lokale aktuale e as nga ato të mëhershmet.

“Zgjerimi i Prishtinës në lagjet të reja kërkon qasje integruese brenda transportit. Përkundër planit të mobilitetit dhe stacioneve miniaturë, shumëçka nga premtimet kanë mbetur në letër. Shtrirja e transportit publik është një nga to”, tha ajo.

Sipas saj, promovimi i krijimit të transportit publik për zvogëlim të ndotjes së ajrit me më pak përdorim të makinave, ka një ironi prapa pasi thotë se autobusët e rinj të blerë nga komuna janë ndotës të mëdhenj.

Nga premtimet e parealizuara Hoxha ka përmendur edhe kontratat me operatorët privat dhe integrimi i tyre në transportin publik, ndërsa problem tjetër i ka paraqitur parkingjet.

“Problem thelbësor është komunikacioni dhe parkingjet. Parkingjet në lagje dhe kufizimi ka qenë problem i madh. Shumica e ndërtimeve të reja numrin e parkingjeve nuk e kanë të realizuar në përputhje me numrat që kërkohen me ligj. Përveç problemit të parkingut si trashëgimi, vazhdon të prodhojë problem në vazhdimësi për lagjet e reja ku po ndërtohet. Për ta menaxhu fluksin e makinave duhet të ketë parkingje me kosto më të vogël në periferi të qytetit, në secilën hyrje”, tha Hoxha.

“Të thirresh në taksë për më pak makina e më pak ndotje, e të ndërtosh parking me 700 njësi parkime në qendër të qytetit është e kundërta e asaj që flet”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, ka përmendur edhe çështje të tjera, që sipas saj janë premtime të parealizuara nga qeverisjet në Prishtinë, si shtigjet e biçikletave, ecja në këmbë, mosrealizimin e rrugës A, dështimin e krijimit të sistemit të integruar të biletave, moslirimin e studentëve nga pagesa dhe ndërtimin e një stacioni modern të autobusëve.

Ajo tha se Prishtinës i duhet “një mendësi dhe platformë e re qeverisëse”.

Nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli, tha se modeli i organizimit të trafikut urban dhe transportit publik ka mbetur i tillë që nga koha e qeverisjes së Ismet Beqirit në Prishtinë, ku sipas tij Vetëvendosje në të dy fushatat zgjedhore kishe premtuar zgjidhje sipas modeleve të avancuara europiane, e në fakt kjo u minimizua vetëm në blerjen me kredi të disa autobusëve.