PDK: Kosova po rrezikohet nga ngritja e çmimit të energjisë – Qeveria po tregohet neglizhente

Partia Demokratike e Kosovës, shpreh shqetësimin e saj sa i përket raportimeve për një krizë energjetike në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, PDK ka vlerësuar se Qeveria aktuale e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për t’u përballur me pasojat e rënda të krizës energjetike që po merr formë, tashmë një kohë të gjatë.

“Gjatë muajve të fundit, mbarë Evropa është duke përjetuar rritje marramendëse të çmimeve të energjisë elektrike, ndërsa Qeveria e Kosovës po tregohet neglizhente dhe nuk ka marrë asnjë masë për të adresuar këtë krizë që po i afrohet me shpejtësi edhe Kosovës. Aktualisht, çmimi i rrymës në bursat e energjisë në rajonin tonë, ka arritur në trefishin e çmimit të një viti me parë, ndërkohë që jemi ende larg dimrit – kur edhe pritet të arrijë kulmi i çmimit”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, kjo krizë ndërkombëtare rrezikon stabilitetin ekonomik dhe vetë sigurinë kombëtare.

“Dihet që Kosova nuk ka kapacitete gjeneruese të rrymës për të përmbushur nevojat e saj kur arrin piku i konsumit në dimër dhe për rrjedhojë është e varur nga vendet fqinje – qoftë për blerje të energjisë, qoftë për transmetimin e energjisë së importuar. Prandaj, do të duhej që Qeveria të planifikonte muaj më parë për dimrin, duke siguruar më herët kontrata për blerjen e energjisë në atë periudhë kur çmimi në bursat e energjisë ishte ende i ulët”, thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu, PDK-ja njofton se nëse nuk merren masa të shpejta nga Qeveria, kjo situatë rrezikon t’i dëmtojë rëndë bizneset kosovare

“Kjo krizë mund ta bëjë pagesën e rrymës tejet të rëndë dhe po ashtu të vështirësojë furnizimin e rregullt e pa ndërprerje në Kosovë. Nëse nuk merren masa të shpejta nga Qeveria, kjo situatë rrezikon t’i dëmtojë rëndë bizneset kosovare që ende nuk e kanë marrë veten nga kriza e pandemisë. Po ashtu, cenon mirëqenien e familjeve që gjatë dimrit harxhojnë një pjesë të mirë të të ardhurave për ngrohje. Mirëpo, Qeveria e Kosovës jo vetëm që është treguar e paaftë dhe e papërgjegjshme për t’i paraprirë adresimit të gjendjes së vështirë energjetike të dimrit, por edhe ka ndërmarrë veprime të dëmshme në fushën e energjisë”.

PDK-ja u ka bërë thirrje Qeverisë që të tregohet më e përgjegjshme dhe të angazhohet menjëherë për të siguruar sa më shpejtë kontrata për blerje dhe transmetim të energjisë me çmim sa më të arsyeshëm

“Prandaj, PDK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të tregohet e përgjegjshme dhe të angazhohet menjëherë për të siguruar sa më shpejtë kontrata për blerje dhe transmetim të energjisë me çmim sa më të arsyeshëm për muajt që vijnë, në mënyrë që të garantojë sigurinë e furnizimit me rrymë të mjaftueshme në muajt e ardhshëm.

Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet maksimalisht edhe për të mirëmenaxhuar rrymën, për të  reduktuar humbjet dhe shpërdorimet e rrymës, si dhe për të shtuar rezervat e hidrokarbureve në vend”.

Go to TOP