Kosova

PDK-ja nuk ka koment rreth deklaratës së Hazirit për Gjykatën Speciale

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri pret që që Gjykata Speciale do të prodhojë drejtësi sesa heronj të rinj. E për këtë deklaratë të Hazirit, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka dashur ta komentojë.

Haziri, një javë më parë, në një intervistë tha se duhet të pritet rezultati final.

“Tani, 21 vjet pas luftës, a është vonë? Po. A është sosë durimi? Te shumica prej nesh po. Por duhet të besojmë dhe duhet ta presim rezultatin final. Duhet të besojmë më shumë që kjo gjykatë do të prodhojë drejtësi sesa heronj të rinj”, kishte thënë Haziri.

Por, udhëheqësit e anëtarët e PDK-së se si e kanë vlerësuar këtë deklaratë, por të njëjtit nuk kanë dashur të flasin, anipse ish-kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli po ballafaqohet me drejtësinë në Hagë.

Më 5 nëntor janë konfirmuar aktakuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët janë dërguar në Hagë.

Krerët e UÇK-së bashkërisht akuzohen për krime të luftës, krime kundër njerëzimit, arrestime të kundërligjshme, trajtim mizor dhe vrasje.

Sipas kësaj aktakuze pjesëtarë të UÇK-së, gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur. Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.