Kosova

PDK-ja kërkon dorëheqjen e Rekës: Ideja për hapjen e korridorit për Serbinë, gabim politik

Migjen Kelmendi, anëtar i kryesisë së PDK-së, në një konferencë për media ka thënë se Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, duhet të japë dorëheqje për hapjen e temës për korridorin për dalje në Durrës të Serbisë.

Ministri Reka ditë më parë në një emision televiziv ka thënë se në kuadër të marrëveshjes finale me Serbinë, asaj mund t’i jepet korridori transit për dalje në detin Adriatik përmes Kosovës.

E sipas PDK-së me një veprim të tillë Reka dhe Qeveria Kurti zgjidhjen e dialogut po e shohin me hapjen e korridoreve.

“Gjatë gjithë kësaj kohe PDK u përpoq parimore, fer dhe të ofrojë hapësirën për fituesit e 6 tetorit që ata të kenë mundësinë të punojnë dhe të përmbushin programin e tyre. Qeveria Kurti brenda këtyre 30 ditëve mori vendime që kërkon një qëndrim të opozitës dhe vëmendjen e qytetarëve të Kosovës. Ministri i Qeverisë Kurti, Blreim Reka këto ditë gjeti guximin që të hapë një tezë anakronike siç është ajo e daljes së Serbisë në Durrës, në deti, duke na kthyer prapa në kohë”, u shpreh Kelmeni, transmeton KOHA.

Kelmendi tutje ka shtuar se sikur Blerim Reka ta kishte kornizuar këtë ide brenda kornizave të këtyre konventave ndërkombëtare do të ishte diçka që do t’i takonte atij si profesionist, por “ai sot është Ministër dhe ka marrë përgjegjësinë publike”.

Sipas Kelmendit teza e korridorit e ka marrë një përgjigje historike, dhe tani është temë e vdekur që nga themelimi i shtetit shqiptar.

Idenë për hapjen e korridoreve ai e quan gabim politik të Qeverisë Kurti, derisa ka kërkuar dorëheqjen e Rekës.

“Ky tani është një gabim i madh politik, që kërkon patjetër reflektimin e ministrit Reka. Ai, idenë e daljes në Durrës, për fatkeqësinë e tij dhe të Qeverisë Kurti, e bëri si propozim politik. Fatkeqësia e kësaj deklarate dhe rihapja e kësaj teme në esencë do të thotë me zgjedh mes territoreve dhe korridoreve. Zgjidhja sipas tij është hapja e korridoreve dhe kështu me kalu nga tema për territore në zgjidhje në hapjen e korridoreve. Më e pakta që mund të kërkohet është përgjegjësia publike dhe dorëheqjen e Rekës. Medoemos duhet me ia kërkuar përgjegjësinë z. Rekës”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka shtuar se Reka nuk ka ndonjë ndjeshmëri për vuajtjet e popullit shqiptar gjatë shekullit të kaluar.

“Kemi shumë familje që sot janë me pasardhësit e tyre që kanë qenë viktima të idesë së Serbisë për dalje në Durrës. Reka, le se po bën gabim politik, por që ka të bëjë me mos ndjeshmërinë e tij me vuajtjet e shqiptarëve në shekullin e XX dhe duket se ai nuk ka empati për vuajtjet e atyre familjeve. Krejt kjo kërkon që Reka të reflektojë, dhe nëse ka mundësi edhe të sqarojë. Por, përgjegjësia e tij politike kërkon dorëheqjen e tij nga posti që i është besuar. S’ka rezolutë më të fuqishme se një zyrtar me u përballë me përgjegjësitë e veta, çështja e daljes së Serbisë në Durrës e dëmton interesin strategjik të Kosovës”, u shpreh Kelmendi.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483