PDK i sheh të qëllimshme vonesat në implementimin e draftit të Asociacionit

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti është që draftin e Asociacionit të mos e dërgojë në Gjykatë Kushtetuese për shkak të vitit zgjedhor, ndërsa analisti Bekim Kabashi thotë se kryeministri po arsyetohet me mosnënshkrimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha për Ekonomia Online se vonesa po bëhen të qëllimshme për shkak se institucioni më i lartë në vend të mos jap mendim para se të përfundojnë zgjedhjet në Kosovë.

“Ky vit është vit elektoral që kemi hyrë dhe po besoj që qëllimi i tij është që deri në fushatën zgjedhorë të mos ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me çështjen e Asociacionit pra ai po e vonon dërgimin e këtij statuti në gjykatën Kushtetuese për të mos pasur mundësi që Gjykata Kushtetuese me dhënë mendim para se të përfundojnë zgjedhje”, thotë Haliti.

Por analisti politik, Bekim Kabashi, thotë se kryeministri Kurti ishte zotuar se do ta implementojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kabashi thotë se kryeministri Kurti po arsyetohet për shkak se Serbia nuk ka pranuar të nënshkruhet marrëveshja bazike.“Siç e dimë që Qeveria e ka marrë obligim me pranimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit pastaj edhe në takimin e pesëshes së madhe në Bruksel ku është takuar kryeministri Kurti është zotu që ka me pranu edhe me kalu draftin e statutit të Asociacionit komunave me shumicë serbe por kjo qeveri po arsyetohet me mosprocedimin e këtij drafti shkaku që Serbia nuk po pranon me nënshkrua marrëveshjen pra marrëveshjen bazike, që pastaj e ka obligim brenda edhe Asociacionin në kuadër të pikës 10 ku thuhet që palët janë të obliguara t’i pranojnë të implementojnë të gjitha marrëveshjet e pranuara të kaluarën”, thotë Kabashi.

Go to TOP