Kosova

PDK heq nga lista kandidatin që nuk e ka kaluar verifikimin

Partia Demokratike e Kosovës, ka njoftuar se ka larguar nga lista kandidatin për deputet që nuk ka plotësuar kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020.

PDK përmes një komunikate për media thotë se ka ndjekur gjithmonë praktikën e moskandidimit të personave të dënuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

“Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje, pavarësisht lëshimit që është bërë në listën e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit. Partia Demokratike e Kosovës do ta respektojë vendimin e KGJK-së, duke larguar nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

PDK tutje thotë se “Respektimi i plotë i normave që përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera ligjore për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, janë kritere të domosdoshme për ta garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë”.

“Partia Demokratike e Kosovës respekton çdo vendim të institucioneve përgjegjëse dhe fton të gjitha subjektet politike në Kosovë, që të bëjnë fushatë të dinjitetshme, duke e respektuar procesin zgjedhor”.

PDK kandidat për kryeministër në këto zgjedhje ka kryetarin në detyrë, Enver Hoxhaj. /Kosova.info/