Kosova

PDK: Gjykata Kushtetuese mbrojti rendin kushtetues nga ‘puçi qeveritar” i Kryeministrit të shkarkuar Kurti

Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ta shpallur kundërkushtetues vendimin e qeverisë Kurti për kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore.

Sipas kësaj partie, “aktgjykimi i sotëm konfirmon ruajtjen e karakterit kushtetues dhe rendit demokratik të shtetit tonë ndaj çfarëdo përpjekjeje dashakeqëse të politikanëve, e fatkeqësisht në këtë rast të një qeverie, për ta marrë në dorë suprimimin e lirive e të drejtave të qytetarëve të Kosovës të cilat garantohen me kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njerëzve që ka miratuar Kosova”.

“Shqetësimi i ngritur nga PDK ndaj këtij vendimi antikushtutues të qeverisë së shkarkuar Kurti si dhe nga shumë parti, institucione e qytetarë, sot fatmirësisht mori një epilog të drejtë dhe evitoi një precedent të rrezikshëm të Kryeministrit të shkarkuar Kurti për t’i bërë një ‘puç qeveritar’ rendit kushtetues e ligjor të vendit. Republika e Kosovës përgjatë këtyre njëzet viteve, me gjithë sfidat e mëdha përpara, fatmirësisht ka arritur të themelojë institucione profesionale e të pavarura të cilat kanë gjykuar në mënyrë të paanshme dhe kanë ruajtur karakterin kushtetues të vendit ndaj çfarëdo përpjekjeje politike për ta cenuar e sulmuar”, ka thënë PDK-ja në reagimin e saj.

PDK-ja ka kërkuar nga “qeveria e shkarkuar Kurti” dhe aktorët e tjerë ta respektojnë këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo parti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i respektojnë kërkesat e vendimet e institucioneve shëndetësore, “pavarësisht epilogut përfundimtar që i ka dhënë Gjykata vendimit skandaloz të qeverisë, i cili do të mbahet mend si përpjekja e fundit dashakeqëse për ta cenuar rëndë demokracinë e brishtë të Kosovës”.