Kombëtare

PD, Basha takon aleatët. Pasdite, takim edhe me Kolegjin e kryetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur mesditën e kësaj të hëne aleatët në një takim që po zhvillohet në selinë blu, për të koordinuar aksionin opozitar, i cili siç është paralajmëruar do të zhvillohet përmes protestave të përjaveshje dhe të vazhdueshme, çdo të enjte para Kuvendit të Shqipërisë.

Në takimin e këtyre çasteve janë të pranishëm Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili nga LSI-ja, Agron Duka i Partisë Agrare-Ambientaliste, Fatmir Mediu i Partisë Republikane dhe Dashamir Shehi i LZHK-së.

Ndërkohë, po në selinë e Partisë Demokratike është planifikuar një mbledhje e Kolegjit të Kryetarëve të degëve nëpër rrethe, që nën drejtimin e Lulzim Bashës do të mbahet pasditen e kësaj të hëne në orën 17:00, sipas burimeve nga selia blu.

Mbledhja do të zhvillohet për të diskutuar për sezonin e protestave dhe përgatitjet për atë të radhës, këtë të enjte përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas asaj që bëhet e ditur, Tirana do të mbajë peshën kryesore të protestave të përjaveshme të paralajmëruara nga kryetari i PD-së, pas dorëzimit të mandateve të disa prej deputetëve të opozitës, pikërisht përpara Parlamentit që akuzojnë se ka dalë nga votat e blera.

Basha pritet të nisë gjithashtu një tur tjetër takimesh, që do të jetë i përqëndruar këtë herë në Tiranë.