Kombëtare

Paraburgim ndaj R.N. i dyshuar për kanosje

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.N. shtetas i Maqedonisë se Veriut, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal Shabi Idrizi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale, andaj bazuar në dispozitat e KPPRK-së, vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, dhe se po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësoj, fsheh, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprës penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarve dhe të dëshmitarëve tjerë, ndërsa meqë i dyshuari është shtetas i Maqedonisë së Veriut, ekziston edhe mundësia e arratisjes apo ikjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Kosova.info/