OPINION

Pasojat e rënies së qeverisë!

Shkruan: Florim ZEQA
Si zakonisht, para rrëzimit të një qeverie beteja politike në Kuvend bëhet mes partive në pushtet dhe atyre opozitare. Mirëpo, kësaj radhe beteja për rrëzimin e qeverisë u bë vetëm në mes partnerëve në pushtet.

Është hera e parë në Kosovën e pas luftës që mocionin për shkarkimin e qeverisë e merr partia në pushtet. Është po ashtu hera e parë që partitë opozitare nuk patën nevojë të shpenzojnë energji për rrëzimin e qeverisë.

Qytetarët e Kosovës më optimist kanë qenë 21 vjet më parë gjatë periudhës së luftës çlirimtare, përkatësisht gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, atëherë kur më afër e kanë pasur vdekjen se jetën, sesa tani pas rënies së qeverisë së shpresës.

Vënia e interesave partiake dhe klanore para interesave shtetërore e liderëve partiak, ka bërë që qytetarët e vendit të harrohen dhe nëpërkëmbën nga të gjitha qeveritë e pas 17 shkurtit 2008.

Dallimi mes politikanëve dhe simpatizantëve politik është i madh. Politikanët nuk i mbajnë qëndrimet dhe parimet e tyre politike, ndërsa simpatizantët politik i mbrojnë ato dhe nuk tërhiqen lehtë nga ndjenja e brendshme shpirtërore.

Përderisa simpatizantët partiak janë të gatshëm që të prishin miqësi e fqinjësi për mbrojtjen e qëndrimeve dhe parimeve të liderëve partiak, këta të fundit, përveç që nuk prishen mes tyre, shkelin parime dhe premtime.

Për dallim nga simpatizantët partiak që sakrifikohen për interesat e liderëve partiak, liderët partiak i harrojnë simpatizantët dhe elektoratin për interesat e tyre, duke i ndërruar qëndrimet më shpesh sesa këmishët e djersitura që u kundërmojnë erë korrupsioni dhe kriminaliteti ekonomik.

Problemi është, se politikanët e papërgjegjshëm, nostrumet dhe matrapazët politik janë njerëz pa ndjenja, pa moral njerëzor që jetojnë mbi kurrizin e qytetarëve.

Kuvendi maskave, kuvend i turpit dhe marrëzisë politike

Për aq gjatë sa do të mbahet në mend pandemia botërore “Covid-19”, aq do të mbahet mend edhe kuvendi i maskave, kuvendi i turpit dhe marrëzisë politike në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme.

Jo pse është mbajt në mes të epidemisë, por për arsyen e mbajtjes!

Ka edhe parlamente të vendeve perëndimore që janë mbajtur me maska në këtë kohë pandemie, por ato janë mbajtur me qëllimin e mirë, të nxjerrjes së masave të nevojshme dhe të domosdoshme në parandalimin e përhapjes së virusit dhe nxjerrjes së vendimeve urgjente në funksion ndihmës për popullatën në zonat e  prekura nga pandemia botërore.

Sigurisht që edhe në ato vende ka kundërthënie e mos pajtime politike, por të gjithë i kanë ulur flamujt partiak dhe janë vënë në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

Ndërsa tek ne ndodhi e kundërta, paradoksalisht partitë në pushtet e shkaktuan krizën qeveritare, bënë thirrjen e seancës së kuvendit me të vetmen pikë të rendit të ditës “Mocioni për votëbesimin e qeverisë”, duke shkarkuar vetveten dhe shkaktuar njëkohësisht krizën institucionale në pikun e krizës së pandemisë botërore, duke i lënë qytetarët e vendit në mëshirën e Zotit.

Për ta njohur dikë mirë, duhet mësuar gjërat që ai fshehë e jo ato që tregon

Citatin e mësipërm, po e argumentoj me dy fjali të shkëputura nga deklaratat e dy liderëve të ish koalicionit qeverisës një ditë pas rënies së qeverisë.

E para, “Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme” (A.K.).

E dyta, “Vendimet e LDK-së, si gjithmonë, janë në të mirë të LDK-së, dinjitetit të saj” (I.M.).

Janë këto dy deklarata që vërtetojnë qëllimet e vërteta të dy liderëve partiak që u fshehën prapa justifikimeve të pa qëndrueshme për prishjen e koalicionit qeverisës.

Nga kjo shihet qartë se përtej presionit amerikan për heqjen e taksës pa kushte dhe arritjen e marrëveshjes me Serbinë, janë edhe kalkulimet partiake ato që quan në rrëzimin e qeverisë.

Prishja e koalicionit shpresës, përkatësisht thyerja shpresave të qytetarëve në rrethanat më të pazakonta të izolimit total dhe rrezikut të paparë deri më tani për njerëzimin në përgjithësi, përveçse papërgjegjësi politike, paraqet precedentin më të keq para botës së qytetëruar.

Pas rënies së qeverisë së shpresës, qytetarëve të vendit u ka mbetur të besojnë vetëm në të padukshmen në horizont, apo siç e kanë thënë pleqtë nga kohët më të vjetra, për ta mbajtur gjallë optimizmin; “Ishalla na mbanë ajo që nuk e shohim”, duke aluduar në Zot dhe shpresuar në mrekullinë që zbret nga qielli!

Ndryshimet politike në vend, sikurse që janë proces i pandalshëm, duhet të jenë edhe mision i së cilit politikan, në të kundërtën, ata që nuk janë të zotët t’i çojnë përpara proceset politike është mirë që t’u lëshojnë rrugë të tjerëve që mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.