Bota

Pas vrasjes së Floyd, Michelle Obama flet për nevojën e çrrënjosjes së racizmit

Ish-Zonja e Parë e Amerikës, Michelle Obama ka reaguar pak ditë pas vrasjes së George Floyd dhe ka shkruar në Twitter disa fjalë referuar racizmit – një prej problemeve më të mëdha në Amerikë, por jo vetëm. Vdekja e Floyd ka shkaktuar protesta anë e mbanë SHBA’ve, me anë të të cilave njerëzit kundërshtojnë racizmin dhe vrazhdësinë e policëve në Amerikë.

Michelle Obama e filloi postimin e saj duke thënë se është ‘e rraskapitur nga kjo thyerje zemre që duket se s’do ndalojë kurrë’ dhe ka kërkuar kontributin e të gjithëve që racizmi të çrrënjoset njëherë e përgjithmonë.

“Ashtu si shumë prej jush, më dhembin shumë këto tragjedi. Jam e rraskapitur nga kjo thyerje zemre që duket se s’do ndalojë kurrë. Tani është George, Breonna dhe Ahmaud. Para tyre ishin Eric, Sandra dhe Michael. Thjesht vazhdon, vazhdon dhe vazhdon. Racizmi është një realitet që shumë prej nesh u rritëm duke mësuar të përballemi me të. Por nëse duam ta lëmë pas, nuk duhet të përballen vetëm njerëzit me ngjyrë me të.

Është në dorën e të gjithë neve – të njerëzve me ngjyrë, të bardhëve, të gjithëve – për ta çrrënjosur atë. Fillon duke ekzaminuar veten dhe duke dëgjuar ata që kanë jetë të ndryshme nga ne. Përfundon me drejtësinë, mëshirën dhe empatinë që manifestohet në jetët dhe në rrugët tona. Lutem që të gjithë të kemi forcën për atë udhëtim. Ashtu si lutem edhe për shpirtrat dhe familjet e atyre që u morën prej nesh.”

George Floyd ndërroi jetë më 26 maj, pasi një polic, tashmë i arrestuar, i kishte vendosur këmbën në qafë duke i penguar frymëmarrjen. E gjithë kjo ndodhi pasi sipas policëve ai po përpiqej të përdorte një kartmonedhë të falsifikuar.