Kombëtare

Pas tragjedisë me 39 viktima, gazetarët anglezë fusin në kurth trafikantin shqiptar

Mediat britanike janë fokusuar gjerësisht në trafikun e emigrantëve që synojnë kalimin në ishull nëpërmjet mënyrave ilegale, kryesisht duke përdorur kamionë që nisen nga Belgjika apo Holanda. Tragjedia ku 39 njerëz humbën jetën pasi u mbajtën mbyllur brenda kamionit frigorifer, e ka rikthyer sërish në fokus të mediave trafikun e njerëzve.

“The Mail on Sunday” raporton për bisedën që një reportere, e cila shtirej si emigrante që kërkonte të kalonte në Britani, ka zhvilluar me një shqiptar të quajtur Kastrijot Ahmati, i cili jeton në Walthamstow, Londra Verilindore.

Shqiptari i dha gazetares dy mënyra ilegale se si mund të kalonte kufirin. Ose duke përdorur dokumente false, ose nëpërmjet një kamioni që niset nga Belgjika. Në rastin e parë, gruaja duhet të paguante 17 mijë funte, por nëse zgjidhte kamionin pagesa zbriste në 14 mijë funte.

Kur gazetarja i tha shqiptarit me pseudonimin “Kace Kace” se ndihej e frikësuar për shkak të tragjedisë së fundit, ai i është përgjigjur: “Është çështje fati. Kështu kemi ardhur të gjithë”.

Kur ajo vazhdoi të shfaqte frikën e saj, duke thënë se “Do të vdesim”, Ahmati thjesht ka qeshur.

Trafikanti besohet të jetë nga Hasi në veri të Shqipërisë, përmes së cilit mendohet se kanë kaluar në Britani të Madhe qindra migrantë. Nuk dihet se për sa kohë ai ka jetuar në Britani, ndonëse postimet e tij në Facebook bëjnë me dije se ai ka qenë në Britani së paku nga shtatori i vitit 2018. Gjatë këtij muaji, ai ka postuar një video të veten duke tymosur një cigare dhe duke u endur pran një stacioni hekurudhor në Londër, transmeton Koha.net.

Kur është kërkuar mbrëmë nga ai të komentojë, Ahmati është lajmëruar në telefon dhe ka konfirmuar se është në Britani. Duke folur përmes një miku, ai pretendon se ka bërë “shaka” në mesazhet e publikuara online dhe gjatë telefonatës. Kur u pyet përmes WhatsApp-it që të sqarojë veprimet e tij, ai u përgjigj “pse”. Llogaria e tij ‘Kace Kace’ në Facebook është mbyllur menjëherë.

Mbrëmë, sipas “The Mail on Sunday, David Wood, ish-drejtori i përgjithshëm i Migracionit në ministrinë e Brendshme, sqaroi se si operojnë trafikantët shqiptarë. “Këto grupe kanë agjentë në vendet burimore. Këtu përfshihet Kina, Afganistani, Iraku, Afrika sub-sahariane, sub-kontinenti indian. Këto agjentë shkojnë me mitin, ‘Shkoni në Britani, është vendi i qumështit dhe i mjaltit’”, ka thënë ai.

Kastrijot Ahmati mendohet se është edhe një prej administratorëve të grupit “Albanians in London”, një faqe në Facebook që sipas “The Mail on Sunday”, koordinon kalimin ilegal të shqiptarëve në Britaninë e Madhe.

Policia Metropolitane ka tashmë në dorë të gjitha bisedat e zhvilluara midis Kastrijot Ahmatit dhe gazetares.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.