Kosova

Pas takimit Mustafa-Kurti: Akuza e kundërakuza mes zyrtarëve të PDK-së, LDK-së dhe VV-së, përfshihet edhe Halil Matoshi

Në pritje të 22 gushtit, datës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe më pastaj shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, drejtues e zyrtarë të partive politike tashmë kanë nisur debate dhe akuzat e ndërsjella.

Takimi i sotëm i liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga oponentë politikë veçmas të PDK-së, po shihet si një hap drejt një koalicioni parazgjedhor mes këtyre dy subjekteve politike.

Ishte, Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, i cili e ka sulmuar ashpër Albin Kurti.

Sipas Ismailit, i cili aktualisht ushtron edhe postin e ministrit të shëndetësisë, Albin Kurti për të prekur pushtetin është në gjendje të shndërrohet edhe në vegël të personit që e luftonte me metodat më të pamoralshme dhe më jodemokratike dhe me të cilin nuk e lidhë asnjë princip apo vlerë përpos frika nga PDK-ja dhe lakmia për privilegje.

“E gjuante dhe e turpëronte me vezë në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe e sulmonte me molotovë në shtëpinë e tij familjare. Albin Kurti e shet veten si të dinjitetshëm e me integritet, por nga frika që të shkojë i vetëm në zgjedhje ai po i përulet ‘Profesorit’ deri në servilosje”, ka shkruar Ismaili, në një postim në Facebook.

Ndaj, këtij postimi të Ismailit, ka reaguar zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili ka ka sugjeruar oponentët politikë që ta marrin me qetësi takimin e sotëm mes Mustafës dhe Kurtit, duke paralajmëruar se po vjen ‘Qeveria e shpresës”.

“Një takim, shumë panik. Merreni me qetësi, çuna, thjeshtë, po vjen Qeveria e shpresës”, ka shkruar ai.

Në debatet përmes rrjeteve sociale është përfshirë edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se PDK po i qet shqelmat e fundit.

“PDK po fundoset politikisht andaj prej dhimbjes së madhe që i ka kapluar, po qesin shqelmat e fundit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Tutje ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosjes është shpresa e vetme për vendin dhe qytetarët.

E, në tërë këtë luftë politike nuk ka mbetur jashtë loje Halil Matoshi, këshilltari i kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Matoshin e ka provokuar postimi i zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa, kur thotë se “po vie Qeveria e Shpresës”.

Matoshi përmes një postimi në Facbebook, ia ka përkujtuar se në kohën e Qeverisë Mustafa, në vitin 2014, 120 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën dhe ndodhi tragjedia ne lumin Tisa.

“2019: Besian Xh. Mustafa po thotë se po vie Qeveria e Shpresës.

Me Sh- të madhe të shtypit!

2014: Lexoni diçka Retro për Shpresën, me Sh-të madhe të shqipshkrimit!!!

120 mijë qytetarë të Kosovës braktisën vendin ilegalisht gjatë dhjetorit.

Ndodhi tragjedia në lumin Tisa.

Kryeministri i atëhershëm Profesor Isa Mustafa thoshte se emigrantët kishin telefona të mençur!???

No comment!” (sic.), ka shkruar Matoshi.

Ndryshe, lideri  LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i VV-së, Albin Kurti janë takuar sot në Prishtinë, ku sipas tyre kanë biseduar për situatën politike në vend, gjendjen e rëndë ekomomike dhe nevojën e daljes nga kriza dhe të vendosjes së shtetit në binarët e zhvillimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.