Kosova

Pas shtimit të rasteve me COVID-19, synohet mbajtja e seancave online

Shtimi i rasteve të reja të të infektuarve me COVID-19 në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka bërë që Grupi Parlamentar i LDK-së ta iniciojë kërkesën për ndryshimin e Rregullores së punës së Kuvendit.

Me këtë rast deputetët po kërkojnë që të mundësohet mbajtja e seancave si dhe votimi online, raporton KOHA.

Për këtë proces nevojiten 2/3 e votave të deputetëve. LDK-ja, PDK-ja e AAK-ja janë pro këtij procesi, por Vetëvendosje, në anën tjetër, ka hezitimet e saj.

“Si PDK, në vazhdimësi kemi kërkuar që të bëhet amandamentimi i Rregullores së punës së Kuvendit, ashtu që të mundësohet zhvillimi online i seancave, duke pasur parasysh rrezikun nga COVID-19 dhe rritjen e numrit të deputetëve të prekur nga virusi. Duke marrë shembuj edhe nga shumë parlamente evropiane, kjo do të duhet të ndodhë sa me parë, për t’u siguruar se puna e Kuvendit nuk do të bllokohet, në rast të përkeqësimit të situatës me pandeminë”, ka deklaruar Memli Krasniqi, deputet i PDK-së.

Për këtë ndryshim është edhe AAK-ja.

“Nëse ekziston vullneti i gjitha grupeve parlamentare mund të arrihet dhe të bëhet plotësim-ndryshimi i rregullores në fjalë dhe në këtë kohë të pandemisë kishte me qenë produktive që mos të vijmë deri te bllokimi i seancave në Kuvend, sepse disa deputetë kanë rezultuar pozitivë në testin për COVID-19 dhe, si rrjedhojë, nuk mund ta ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues. Shto këtu që dita-ditës mungesat e deputetëve vetëm sa po rriten, ndërsa në sirtarët e deputetëve po shtohen projektligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare që prekin sektorë të rëndësishëm për mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Pal Lekaj nga AAK-ja.

VV-ja e ka lënë hapur mundësinë për ta votuar ndryshimin e Rregullores, por që një gjë e tillë, sipas saj, do të vendoset ditëve në vijim.

Të pyetur se sa zgjat procedura për ndryshim të Rregullores së punës së Kuvendit, nga kabineti i kryeparlamentares Vjosa Osmani, për Kohën kanë thënë se e tërë procedura merr 2 muaj kohë, por ky proces mund të procedohet me shmangie nga afatet procedurale të parapara me Rregullore.

“Krejt kjo procedurë, me afate të rregullta, merr kohë rreth 2 muaj. Por, në mbështetje të nenit 84 (shmangiet nga Rregullorja), mund të procedohet me shmangie nga afatet procedurale të parapara me Rregullore, por duke respektuar procedurat e domosdoshme, të sipërpërmendura”, ka thënë Artan Murati, këshilltar i Osmanit.

E një nismë e tillë është mirëpritur nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Eugen Cakolli thotë se me infektimin e një numri të madh të deputetëve me COVID – 19 është krijuar një situatë e re e cila kërkon unifikim të partive me qëllim që të sigurohen 2/3 e votave për ndryshim të Rregullores së Kuvendit.

Ndonëse, sipas tij, duhet të ndiqen praktikat e shteteve të tjera në rajon, që tashmë e kanë implementuar këtë ndryshim.

Ndërkohë, për shkak të inateve politike midis partive, në Parlament tashmë disa vite është në procedim e sipër ligji për ndryshimin e Rregullores së punës së Kuvendit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.