Kosova

Pas rezultateve jo të mira në zgjedhje, kërkohet përgjegjësi në PDK

Kërkohet përgjegjësi brenda Partisë Demokratike të Kosovës për humbjen në zgjedhje, por vlerësohet se reformat brenda partive nuk japin efektet e pritura.

Në PDK janë shtuar zërat që kërkojnë nevojën për më shumë reforma pas rezultatit jo të mirë në zgjedhje.

Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Lirak Çelaj thotë se humbja nuk mund të kalojë në heshtje dhe dikush duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin.

“Vlerësoj se Partia Demokratike e Kosovës nuk duhet të rrijë e heshtur siç po rri tani. Është një humbje, debakël i partisë dhe duhet të ulemi të diskutojmë se çfarë ka ndodhur dhe çka duhet të veprohet. Dikush duhet të merr përgjegjësi. Ndoshta është ajo që e ka propozuar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovcit që të dorë hiqet e gjithë Kryesia që do të ishte lajm edhe për elektoratin se ne e kemi marrë mesazhin dhe po mendojmë për këtë punë. Pra dorëheqja e Kryesisë dhe zgjedhja e një kryesie të re do të duhej të ishte puna e parë. Por mund të shqyrtohej edhe mundësi e zgjedhjeve të brendshme të partisë që do të mund të organizoheshin brenda një periudhe të caktuar”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Lirak Çelaj.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani thotë se edhe ndonjë reformë e brendshme e PDK-së vështirë se do të ndryshonte gjendjen në raport me elektoratin ën Kosovë.

“Nuk e shoh se reforma do të përmirësonte rezultatin zgjedhorë pasi popullata është lodhur dhe po kërkojnë diferencimin me partitë politike që kanë qeverisur prej 20 vitesh. Pra reforma e brendshme nuk është i vetmi segment që mund të shpëtojë këto subjekte politike”, deklaroi Blerim Burjani.

Ditë më parë Ramiz Lladrovci ka thënë se dështimi i PDK-së në zgjedhje ishte i paralajmëruar qysh nga viti 2019.