KULTURË

Pas nominimeve për Oscar, vijnë reagime të shumta

Dje u bënë të ditura nominimet për shpërblimet e sivjetme Oscar, dhe një ditë më vonë, vijnë reagime të shumta rreth projekteve dhe aktorëve të cilët janë lënë jashtë garës për këtë çmim, nga Akademia e Artit dhe Shkencave.

Në mesin e yjeve të Hollywoodit, që ishin parashikuar të nominohen sivjet janë edhe: Jennifer Lopez, Eddie Murphy dhe Robert De Niro.

Këngëtarja dhe aktorja Lopez, ishte lavdëruar shumë nga kritikët dhe adhuruesit e filmit, për rolin e saj në filmin “Hustlers”, ku ajo e portretizon një valltare ekzotike e cila futet në problem me ligjin, pasi e krijon një grup të vajzave të cilat i vjedhin biznesmenët e pasur të New York-ut, transmeton KTV. Edhe aktori Murphy ishte lavdëruar shumë për rolin e tij në filmin komik “Dolemite is My Name”, por fatkeqësisht, as ai nuk arriti të hynte në garën për çmimet Oscar, të cilat do të ndahen më 9 shkurt.

Akademia e cila përbëhet nga 8.000 anëtarë të cilët i votojnë fituesit e çmimeve Oscar, po ashtu po kritikohet për faktin se nuk e ka nominuar yllin hollywoodian, Robert De Niro, për performancën e tij në filmin “The Irishman.”

Fituesi i dyfishtë i shpërblimit Oscar, De Niro, është nominuar si producent i filmit të fundit të Martin Scorsese-s, i cili po ashtu garon për shpërblimin kryesor të mbrëmjes, atë Filmi më i mirë”, por jo për aktrimin e tij në filmin me gangster.

Ndër aktorët e tjerë të cilat janë injoruar nga Akademia sivjet, duke mos marrë nominim për rolet e tyre janë: Adam Sandler i cili është lavdëruar tej mase për performancën e tij në trillerin kriminalistik “Uncut Gems,” dhe Awkwafina, e cila shënoi histori me fitimin e çmimit “Globi i Artë” për rolin e saj në filmin “The Farewell”.

Një reagim të ashpër organizatorët e ceremonisë së shpërblimeve kryesore kinematografike e kanë marrë për faktin se i kanë lënë tërësisht jashtë garës regjisoret femra. Në kategorinë “Regjia më e mirë” sivjet nuk përfshihet asnjë femër, edhe pse Greta Gerwig ishte parashikuar si pretendente e denjë për këtë garë, për punën e mrekullueshme që e ka bërë në filmin “Little Women”. Ajo është nominuar në kategorinë “Skenari më i mirë i adaptuar”, por jo edhe për regjinë më të mirë.

Por, pavarësisht ‘huqjeve’, Akademia e Artit dhe Shkencave po ashtu arriti ta befasonte publikun me nominimin e disa aktorëve dhe filmave. Një prej tyre ishte aktori latin 59-vjeçar, Antonio Banderas. Ylli i njohur për filmat

“The Mask of Zorro” dhe “Evita,” arriti të fitojë nominim për Oscar në kategorinë “Aktori më i mirë” për portretizimin e regjisorit Pedro Almodovar, në filmin “Pain and Glory”, i cili reflekton mbi vendimet e jetës së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.