SPORT

Pas kthimit në Serie A, Hetemaj synon shifrën jubilare

Përparim Hetemaj me skuadrën e Beneventos edicionin e ardhshëm do të luaj në Serie A të Italisë. Rikthimin në Serie A e kanë arritur shtatë xhiro pa përfunduar ky edicion i pezulluar në mars shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Për futbollistin nga Skenderaj do të jetë edicioni i dhjetë që do të luaj në Serie A, por tani me synimin për ta arritur shifrën e 300 ndeshjeve.

Hetemaj u transferua në Benevento vitin e kaluar duke nënshkruar kontratë për dy vjet. Para transferimit të tij, ai luajti për nëntë vjet në Serie A, së pari me Brescian dhe më pas me Chievon për tetë sezone.

33-vjeçari ka pasur një sezon mjaft të mirë dhe dëshiron të luaj në nivel të lartë edhe për disa vite. Por, ai për një periudhë afatshkurtër ka një synim – të luaj 300 ndeshje në Serie A.

Hetemaj deri tash në Serie A ka luajtur 268 ndeshje.

“Më mungon një sezon ose rreth 30 ndeshje. Ky do të ishte një gol i vogël i bukur, por do të varet se si janë planet e klubit”, ka thënë Hëtemaj në një intervistë dhënë mediumit finlandez “yle.fi”. “Megjithatë, nuk dua të mendoj për shifra. Ishte një kohë e mirë për mua personalisht, sepse pas nëntë vitesh të kaluara në Serie A, unë isha në një situatë ku shumë klube menduan se ishte i vjetër për t’u investuar në mua. Shumica e klubeve elitare të Italisë kërkonin lojtar të rinj. Por, për mua ishte një fitore. Unë jam shumë krenar që kam arritur të ngritëm në Serie A me Beneventon sesa fakti që kam luajtur nëntë vite në Serie A”.

Benevento pak ditë më parë siguroi rikthimin në Serie A. Por, festa ishte e zbehtë shkaku i situatës me koronavirus. Ka regjistruar 23 fitore, shtatë barazime dhe një humbje nga 31 ndeshje të këtij edicioni. Rol të madh në këtë sukses ka pasur edhe Hetemaj.

“Nuk kishte festë të madhe për shkak të koronavirusit. Ishte e pamundur të organizonim ahengje. Por, kur situata të normalizohet sigurisht se do të ketë një organizim me shikues. Por, shikuesit janë gëzuar dhe janë mburrur me të arriturat tona. Kemi pasur një fillim të mbarë. Skuadra është stërvitur mirë dhe gjithçka ka funksionuar mirë. Shumë rekorde janë thyer gjatë sezonit. Kemi humbur vetëm një ndeshje”, është shprehur Hetemaj.

Hetemaj ka folur edhe për pushimin shkaku i pandemisë. Ai ka thënë se ajo periudhë e izolimit ishte nga më të këqijat në jetën e tij.

“Pushimi shkaku i koronavirusit nuk ishte një gjë e mirë. Ishte e vështirë qëndrimi për dy muaj në shtëpi, pasi lejohesha vetëm të bëj Pazar. Por, kuptova shumë gjëra që janë me rëndësi. Fatmirësisht të gjithë rreth meje ishin mirë me shëndet. Por, pjesa më e vështirë ishte të qenit vetëm brenda katër mureve, por nuk mund të ankohem edhe shumë, sepse kishte njerëz që i kishin gjërat shumë më keq”, ka theksuar ai.

Hetemaj te Benevento është nën urdhrat e golashënuesit legjendar, Filippo Inzaghi, i cili sipas tij, ka krijuar një atmosferë të mirë në ekip.

“Për futbollistët ishte një njeri motivues dhe krijoi një atmosferë të këndshme, gjë që reflektoi edhe në fushë”, ka theksuar ai.

Benevento të premten do të luaj në udhëtim ndaj Crotones që zë vendin e dytë, derisa të fundit do ta zhvillojë më 1 gusht kundër Ascolit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.