Kronika e zezë

Pas krimit makabër gjendet i vetëvrarë 29-vjeçari në Fier, 2 ditë më parë qëlloi me thikë për vdekje bashkëshorten

Tragjedi e dyfishtë, kjo është ndoshta fjala që e përshkruan më së miri ngjarjen e ndodhur 2 ditë më parë në Fier, ku një 29-vjeçar ka vrarë brutalisht me thikë bashkëshorten e tij, e ndërsa dje është gjendur i vetëvrarë disa metra larg banesës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së mërkurës në fshatin Sheq i Madh, teksa 29-vjeçari D.

Medinaj mësohet të ketë goditur dhjetëra herë me thikë bashkëshorten e tij, për shkaqe që duken se do të mbeten të pazbardhura. Kjo pasi dje trupi i tij është gjetur i pajetë rreth 300 metra larg banesës, ku edhe mësohet të ketë vrarë bashkëshorten. Sipas policisë nga vëzhgimet paraprake bëhet me dije se, në trupin e të riut nuk janë konstatuar shenja dhune. Megjithatë do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes të 29-vjeçarit. Ndërsa burime të tjera bëjnë me dije se i riu, i cili paraprakisht dyshohet të jetë vetëvrarë është gjendur i pajetë në një fushë me mbeturina, teksa kanë qenë autoritet policore ato të cilat e kanë gjetur, pasi ishin në kërkim të tij. “Sot rreth orës 10:20, në vendin e quajtur “Vija e ngjalës”, është gjetur pa shenja jete shtetasi D. M., 29 vjeç, banues në lagjen “Sheq i madh”, Fier, i cili ishte në kërkim nga Policia pasi pasditen e djeshme ka vrarë me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij. Nga këqyrja paraprake e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune.

Trupi i viktimës është transportuar në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar një ekspertize mjeko-ligjore më të specializuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin për shtyp nga policia. Ndërkohë referuar ngjarjes mësohet se 29-vjeçari e ka qëlluar bashkëshorten e tij rreth 31 herë me thikë, duke i shkaktuar plagë në të gjithë trupin si pasojë e të cilave ndërroi jetë në banesën e tyre. Në vorbullën e gjithë detajeve tronditëse lidhur me këtë ngjarje, ajo çka është më e rëndë, është se vrasja ka ndodhur në sy të 2 fëmijëve të mitur, ndërsa autori D. Medinaj, pas vrasjes u largua menjëherë nga shtëpia derisa u gjet paraditen e djeshme, i pajetë. 
Familjarët: Çifti nuk kishte probleme 
Lidhur me ngjarjen tronditëse, kanë folur edhe familjarët e viktimave, të cilët tashmë kanë lënë pas 2 fëmijë të mitur. Të afërmit e të rinjve, mësohet të kenë treguar se ata nuk kishin probleme me njëri-tjetrin, e kësisoj nuk dinë një arsye pse mund të ketë ndodhur vrasja. Ndërsa sa i përket autorit, nëna dhe babai i 28-vjeçares mësohet gjithashtu të jenë shprehur të tronditur pasi ai nuk ka pasur asnjë problem mendor, sikurse u aludua, teksa kanë shtuar se nuk kanë dijeni pse dhëndri i tyre u ka vrarë vajzën. Ata janë shprehur se, për të kanë pasur një opinion të mirë. “Ne thjesht kemi tërhequr trupin dhe s’dimë asgjë. Ka qenë opinion shumë i mirë për të, ka qenë i pastër, ska asnjë arsye të fortë. Por nuk e dimë pse ka ndodhur. Ato që merrni andej dhe mi sillni mua se ka dalë me probleme mendore s’janë të vërteta fare. Nuk është momenti tani të flasim. Se pse ka ndodhur nuk e dimë”, thonë nëna dhe babai i 28-vjeçares. “Ata kanë qenë familje e mirë, nuk flasim dot për atë punë. Ata kishin ca bagëti pulari punonin, të dy çunat. Di që nuk kanë pasur probleme familjare. Lajmin e kemi marrë në mënyra private dhe nga televizionet. Ajo ka lënë 2 fëmijë të mitur. Këto gjëra do shikohen më pas”, mësohet të kenë treguar të afërmit.