Kombëtare

Pas 27 vjetësh i zhdukur, rivarroset në Malishevë Rifat Berisha

Sot në fshatin Gurbardh të Komunës së Malishevës, është bërë rivarrimi i Rifat Berishës, i cili ishte zhdukur 27 vjet më parë gjatë luftës në Bosnje. Pas kërkimeve të vazhdueshme të familjes, për 27 vjet më radhë, janë gjetur eshtrat e tij dhe janë kthyer dje në vendlindje, ndërsa sot, është bërë rivarrimi i tij.

Sipas njoftimit për media, në ceremoninë e rivarrimit, krahas familjarëve, miqve dhe afërmve të tjerë, morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, pastaj Prenk Gjetaj, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, si dhe përfaqësues të subjekteve politike në Malishevë.

Në fjalën e rastit, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se “shqiptarët, me shekuj i ka përcjellë ky fat, që të zhduken në luftëra të ndryshme, ku shumë prej tyre, nuk janë gjetur asnjëherë, por Rifatin e ka thirr toka e vet dhe falë këmbëngulësisë së familjes, është gjetur dhe u kthye që eshtrat e tij të prehen në tokën ku ka lindur”.

Ndërsa Prenk Gjetaj, në fjalën e tij, tha se “adresa e këtyre krimeve është Beogradi zyrtar, që nuk i tregon se ku është munduar t’i fsheh gjurmët e krimeve të tyre, prandaj ftoj ndërkombëtarët që të ushtrojnë presionin e tyre, për zbardhjen e të gjitha rasteve të krimeve dhe ti tregojnë se ku i kanë varrosur të vrarët, duke u munduar që ti fshehin gjurmët e krimit”.

Në Komunën e Malishevës, nga lufta e fundit, vazhdojnë të jenë edhe 38 persona të zhdukur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.