Kosova

Pas 14 vjetësh në koma, 27 vjecarja dërgohet në shtëpi, familja s’e lë në QKUK

Klinika ‘Euromed’, ku qëndroi për më shumë se 10 vite në gjendje kome, tashmë 27-vjeçarja nga Peja Liridonë Gashi, u mbyllë të mërkurën. E gjithë kjo pas skadimit të licencës për vazhdimin e punës për këtë klinikë. Si rrjedhojë 27-vjeçarja u detyrua që të largohet nga aty. Inspektorati Shëndetësor këtë paciente e dërgoi në QKUK për kurim. Por, familja e  nxori nga aty vajzën e tyre. 

Gentiana HASANI

Ka 14 vite që Liridonë Gashi nga Peja është në gjendje kome si pasojë e një injeksioni që mjekët në Pejë i dhanë gabimisht.  Prej moshës 13 vjeçare e njëjta është në këtë gjendje. Trajtimi i saj fillimisht u bë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por më tutje, ajo u dërgua për trajtim në Zvicër. Prej atje ajo u kthye më 2008.  Që nga atëherë, deri të enjten, Liridona asnjëherë nuk kishte lëvizur nga dhoma e saj në Klinikën Private ‘Euromed’ në Fushë Kosovë.

Të mërkurën  me një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, u kërkua largimi i Liridonës nga kjo klinikë dhe dërgimi I saj në QKUK.

Ajo në QKUK, qëndroi vetëm një natë. Familja e saj nuk pranoi që vajzën ta lë për  kurim në QKUK.

Ata thonë se ky institucion publik shëndetësor nuk i plotëson kushtet për trajtimin e Liridonës. Për të, sipas familjarëve mungojnë madje edhe barnat nga lista esenciale.

“Liridonën e morëm në shtëpi. Nuk e lamë në QKUK. Aty ishte mjerim. Nuk kishte aspak kushte për trajtim. Barnat e listës esenciale mungonin. Të gjitha u desht që t’i blejmë vet. Vetëm një natë qëndroi Liridona aty”, thotë për Express, familjari i Liridonës.

Tutje , ai tregon se Liridona trajtimin tashmë po e vazhdon në shtëpinë e saj në Pejë.

“Në Pejë do ta trajtojmë. Aty është më mirë se në QKUK”, thotë familjari.

Por cila është historia e Liridona Gashit?

Në moshën 13 vjeçare, Liridona, pas disa ditëve pushimi, u prek nga një virus. Kishte shkuar në spitalin e Pejës për të marrë një injeksion, nga i cili i ishte përkeqësuar gjendja e saj shëndetësore.

Në foto: Liridona në Klnikë dhe prindi i saj Ibishi

Pas marrjes së këtij injeksioni, gjendja shëndetësore e Liridonës ishte përkeqësuar. Ajo kishte rënë në gjendje kome që nga viti 2005.

Ilaçin e kishte kërkuar në Zvicër. Atje ku ishte kuruar për tre vjet. Por, në vitin 2008, Liridiona, në bazë të një vendimi nga ana e autoriteteve zvicerane u kthye në Kosovë për trajtim të mëtejmë.

‘Barrën’ për shërimin e saj vullnetarisht ishte shprehur që ta merrte Klinika Private ‘Euromed’. Kjo Klinikë madje ishte paguar nga autoritetet zvicerane që Liridonën ta trajtonte për katër muaj.

Por të mërkurën e 21 gushtit, njësitet policore në Kosovë bashkë me gjykatën kishin shkuar në ‘Euromed’ për ta tërhequr Liridonën e për ta dërguar në QKUK. Anise ajo kishte më shumë se 10 vite që po qëndronte pa lëvizur në këtë klinikë private.

Detaje për këtë rast, ka dhënë gjatë ditës së sotme babai i Liridonës, Ibish Gashi.

“Vajza ime këtu është moti. Është sjellë nga Zvicra nga ambasada. Ne si prindër nuk jemi pyetur. Spitalet e Kosovës nuk e kanë pranuar në atë kohë me arsyetimin se nuk kanë kushte.  Trajtimi këtu është i mirë”, thotë prindi i Liridonës.

Liridona Ibishi para 14 viteve

Ai tregon se nuk do që vajzën t’ia largojnë nga spitali. Kjo ngase sipas tij, QKUK nuk ka kushte për trajtimin e saj.

“Spitali- shefi i ‘Euromed’ e paguan ushqimin, pampersat, barnat. Higjienën e paguajmë ne prindërit, sondën që kushton 130 euro e paguajmë ne prindërit. Në spital publik ne nuk mund ta dërgojmë. Atje unë po e shoh me pas qenë në spital publik, kjo kishë vdek. Një injeksion gabimisht i pat ndodhë, nuk i ka ndodhë me qëllim, neglizhencë ka qenë. Një ftohje e vogël i ka dal në alergji”, rrëfen babai i Liridonës.

EUROMED: Liridona nuk mund të qëndrojë më tek ne. Klinika jonë ka falimentuar

Por në ‘Euromed’, thonë se të vendosur se Liridona duhet të largohet nga Klinika. Ajo është e vetmja paciente që ka mbetur në këtë klinikë në të cilën do të mund të qëndrojë vetëm deri në orën 24:00 të ditës së sotme.

Detaje për këtë punë, ka dhënë për Express, pala mbrojtëse e Klinikës ‘Euromed’, avokati, Selatin Ahmeti.

Vendimi i Gjykatës Themelore

“Sot jemi këtu sepse Gjykata ka dashur që ta ekzekutoje vendimin e vet, i cili është nxjerrë në vitin 20017, e i cili që nga atëherë nuk është ekzekutua. Gjykata ka konkluduar që t’i urdhërohet debitorit(prindërit të Liridonës) që ta transferojnë Liridonën nga Euromed për në QKUK. Kjo është bërë e plotfuqishme në vitin 2017”, ka thënë avokati.

Ai ka thënë se kërkesa e Euromed, është që Liridona të largohet nga aty dhe të dërgohet në QKUK për trajtim. Sipas tij, Euromed nga trajtimi i Liridonës ka pësuar dëme të mëdha financiare.

“Kërkesa jonë është që pacientja të transferohet nga këtu për në QKUK. Askush nuk i ka paguar Euromedit asnjë cent. Nga 2008’ta nuk është paguar asnjë cent. 770 mijë euro ka kushtuar deri më tani mjekimi i Liridonës. Kushtet për kurimin e Liridonës janë shumë më të mira në QKUK”, sqaron avokati.

“Klinikës Euroemd sot i skadon licenca për vazhdimin e punës.  Euromed sipas informatave që i kam nuk ka kërkuar vazhdimin e licencës’, shton avokati.

Familja Ibishi: ‘Euromed’ ka bërë shkelje ligjore, vajzën nuk duam ta dërgojmë në QKUK

Por, familja nuk po pranon që Liridona të largohet nga spitali. Detaje ka dhënë avokati i familjes Ibishi, Ruzhdi Ibishi.

“Sot kemi ardhë me procedurën e përmbarimit nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ta ekzekutuar një vendim për ta bartur pacienten Liridona Gashi nga Klinika Eutomed për në QKUK. Këtë rast e përcjellim që gati 11 vite nga koha kur Liridona është kthyer nga organet zvicerane në mënyrë të dhunshme në Kosovë me diagnozën, gjendje kome. Është kthyer pa pëlqimin e prindërve dhe institucioneve të Kosovë. Ne i posedojmë të gjitha shkresat”, thotë avokati.

Ai tutje deklaron se familja Ibishi posedon të gjitha shkresat ku thuhet se Euromed ka bërë shkelje ligjore.

“Fatkeqësia ka filluar të ndodhë në vitin 2008 kur Klinika Euromed, bie në kontakt me autoritetet zvicerane dhe thotë se janë të gatshëm që ta marrin me një kompensim që ia kanë dhënë autoritet zvicerane. Ata e kanë kthye vajzën në Kosovë me një kontratë prej 4 muajve. Pas katër muajve ata (Euromed) e marrin një vendim që vajzën ta heqin nga klinika. Familja nuk kanë pranuar se nuk kanë pas kushte për me e trajtu”, thotë avokati.

Ai sqaron se familja po heziton që Liridona të trajtohet në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës me arsyetimin se nuk ka kushte të mjaftueshme për trajtim.

Shkresa ku Klinika Euromed kërkon që pacienten Liridonë Gashin ta marrë për trajtim në Klnikën e tyre

“Qëllimi ynë është që barnat esenciale që i nevojiten Liridonës të gjenden në institucione. Problemi ynë është që gjendja e shëndetësisë në Kosovë është e tillë të cilat sipas vetë Euromedit arrijnë deri në 2 mijë euro në muaj. Në momentin kur të sigurohen këto barna, ushqime, atëherë Liridona do të trajtohet sikur të gjitha rastet e tjera”, sqaron avokati, Ruzhdi Ibishi.

Ndërkohë, të mërkurën pasdite, nga Klinika janë larguar të gjithë pacientët tjerë nga Euromed pos Liridonës.