Kosova

Partitë politike, të interesuara për zgjedhje, jo për dialogun me Serbinë

Dorëheqja e kreut të Qeverisë, Ramush Haradinaj, e ka vështirësuar edhe më shumë situatën rreth bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të dyja vendet, që nga viti i kaluar, përkundër tentimeve, kanë dështuar që të ulen dhe të vazhdojnë bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, raporton KTV.

Për partitë në vend, prioritet në këtë kohë, janë zgjedhjet dhe jo dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Vjosa Osmani nga LDK-ja, e ka quajtur të papranueshëm vazhdimin e bisedimeve mes dy vendeve në këtë kohë, derisa edhe PDK-ja prioritet i ka zgjedhjet e parakohshme.

Kurse, Partia Socialdemokrate, zgjedhjet i konsideron mundësi të zhbllokimit të cilitdo proces.

Por, funksionalizimi i institucioneve nuk është kushti i vetëm që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi.

Sipas Jeta Krasniqit nga KDI-ja, lidhur me këtë çështje duhet të arrihet edhe konsensus politik.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, insiston se mënyra e vetme e rinisjes së bisedimeve është pezullimi i taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

“BE-ja, së bashku me të gjitha shtetet anëtare dhe SHBA-ja, i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat menjëherë, për të lejuar rifillimin e shpejtë të Dialogut. Serbia është gjithashtu përgjegjëse për të mbajtur një mjedis të favorshëm për rifillimin e plotë të bisedimeve të Dialogut”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për Media të BE-së.

Takimi mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ishte i planifikuar që të mbahej në fillim të korrikut në Paris, mirëpo i njëjti kishte dështuar.

Ky takim ishte nismë e kancelares gjermane Angela Merkel, dhe presidentit francez Emmanuel Macron, pas Samitit të Berlinit, të mbajtur muaj më parë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483