Rajoni

Partia pro-ruse në Shkup: Shërbimi sekret u mbush me terroristë të UÇK-së

“Maqedonia e vetme”, një forcë politike pro-ruse në vendin fqinj, është e shqetësuar se përse Agjencia e Shërbimit Sekret (DSK) në Maqedoninë e Veriut është mbushur me shqiptarë.

Nëpërmjet një reagimi të partisë pro-ruse në Shkup, thuhet se gati gjysma e të punësuarve në DSK nuk kanë plotësuar kushtet për t’u bërë pjesë e Agjencisë së re për Siguri.

“E vërteta është se përzgjedhja e kuadrove të Agjencisë së sapoformuar, që është pasuese e DSK-së, mbush shërbimin me kuadër të LSDM-së dhe BDI-së, të cilët në pjesë të madhe janë ushtarë të grupit terrorist të UÇK-së”, thuhet në njoftimin e tyre, transmeton tch.

Këto punësime të ish-ushtarëve të UÇK-së bëhen që të realizohet përqindja prej 25.17 për qind që i takojnë shqiptarëve, e që sipas partisë pro-ruse, regjistrimi i popullsisë në atë kohë është falsifikuar.

“Agjencia për Siguri Nacionale po mbushet me terroristë të UÇK-së pa kryer kontrolle sigurie ndërsa nga shërbimi sekret në mënyrë masovike po hiqen maqedonasit, të cilët janë me dekada në punë”, thuhet në njoftimin e “Maqedonisë së Vetme”.