Kosova

Partia e Kurtit thotë se dialogu me Serbinë nuk u zhvendos nga Brukseli

Moskoordinimi në politikën e jashtme dhe dialogu me Serbinë kanë ndikuar në thellimin e përçarjes mes krerëve më të lartë të institucioneve të Kosovës.

Kjo është vënë në pah edhe më shumë pas takimit që zhvilloi në Uashington presidenti Hashim Thaçi me homologun serb, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi ka thënë se tashmë ka ndodhur zhvendosja e dialogut me Serbinë nga Brukseli në Uashington dhe se administrata e Donald Trumpit do të jetë prijëse e këtij procesi.

Por partia e kryeministrit, Vetëvendosje, thotë se dialogu me Serbinë nuk ka rinisur dhe se në krye të bisedimeve do të jetë kryeministri Albin Kurti.

Partneri i Vetëvendosjes në koalicion, LDK, kërkon unifikim të krerëve të shtetit.

Deputetja Besa Gaxherri insiston në heqjen e tërësishme të taksës dhe që kryeministri Kurti të marrë përgjegjësitë kushtetuese për dialogun.

Partia opozitare, Nisma Socialdemokrate, mirëpret angazhimin amerikan për të udhëhequr dialogun, pasi BE-ja nuk ka qenë e unifikuar karshi Kosovës.

Shefi i deputetëve të kësaj partie thotë se kryeministri Kurti po i shmanget qëllimshëm udhëheqjes së dialogut me Serbinë.

Në kohën kur presidenti Thaçi thotë se bisedimet do të udhëhiqen nga SHBA-ja, kryeministri Kurti u ka dërguar letra të ndara krerëve të BE-së se do të jetë në krye të dialogut.

Derisa kryeministri e ka ftuar për takim presidentin për t’u koordinuar për dialogun, Thaçi si kundërpërgjigje ka thënë se do të ftojë të gjithë liderët e partive në takim, duke iu referuar Kurtit vetëm si lider i Vetëvendosjes.

Shfaq më shumë
//usounoul.com/4/3473483