Kosova

Parlamenti apo Qeveria në dorëheqje, kush duhet ta rehatojë buxhetin nëse s’ka qeveri të re?

Mosformimi i qeverisë së re gati dy muaj pas certifikimit të zgjedhjeve ka ngritur alarmin për kaos financiar në Kosovë. Sipas Ministrisë së Financave data 31 mars 2020 është data e fundit e lejuar për shpenzim buxheti, rrjedhimisht ekzekutime të pagave. Ekspertë të çështjeve ekonomike po deklarojnë se në rast se nuk ka qeveri të re, atëherë qeveria në dorëheqje duhet ta dërgojë në Kuvendin e konstituuar projektligjin për buxhetin e vitit 2020.

Pas datës 31 mars 2020 nëse nuk miratohet projektligji për Buxhetin, asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të ekzekutojë shpenzim ose pagesë.

Kjo do të thotë që institucionet publike nuk do të mund të ekzekutojnë pagat për të punësuarit pas datës 31 mars nëse nuk miratohet Ligji për Buxhetin 2020.

Nga Ministria e Financave kanë deklaruar se në situatën kur nuk miratohet ligji i ri për buxhetin nga Qeveria e re dhe Kuvendi të gjitha obligimet buxhetore do të ndërpriten nga data 31 mars.

“Në situatën kur nuk miratohet ligji i ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri tek shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars (nëse ka vendim nga Kuvendi)”, kanë thënë ata.

Ky dikaster i Qeverisë në dorëheqje sugjeron që me buxhetin të merren Komisionet Parlamenetare pasi qeveria në largim nuk aprovon projektligje.

“Sipas praktikës parlamentare dhe opinioneve ligjore kompetente, duke qenë se Qeveria në dorëheqje nuk aprovon projektligje, dhe më tepër, projektligjin e buxhetit i cili përveç tjerash është edhe dokument politik i cili pasqyron objektivat strategjike dhe programin e qeverisë, mbetet në përgjegjësi të institucioneve të dala nga zgjedhjet e vitit 2019 që të mundësojnë konstituimin e organeve të Kuvendit (Komisioneve parlamentare) si dhe Qeverisë, për të trajtuar çështjen e buxhetit dhe projektligjin e buxhetit për vitin 2020, si ndër veprimet e para më se urgjente, propozimin e të cilit si draft e ka dorëzuar Ministria e Financave në arkivin e Qeverisë” thekson MEF.

Drejtori ekzekutiv i institutit Riinvest, Alban Hashani ka thënë për Gazetën Express se përderisa legjislatura e re është themeluar, nuk ka arsye për ndonjë shqetësim.

Hashani po ashtu është shprehur se nëse nuk formohet qeveria e re, atëherë qeveria në largim mund ta dërgojë ligjin për buxhetin drejt Kuvendit.

“Në rast se nuk formohet qeveria e re, atëherë qeveria në dorëheqje duhet ta dërgoj ligjin e buxhetit në kuvend. Ky i fundit mund ta shqyrtoj, kthej prapa te qeveria për plotësim/ndryshim dhe/apo ta aprovoj”, është shprehur Hashani.

Eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi i ka thënë Gazetës Express se nëse nuk ka buxhet të miratuar pas datës 31 mars Kosova do të kolapsojë financiarisht.

“Kosova veç ka hyrë në krizën buxhetore për faktin se më 1 janar 2020 nuk ka buxhet të miratuar. Për pasojë asnjë projekt kapital nuk mund të iniciohet të realizohet. Para 28 shkurtit Kuvendi mund të vazhdojë shfrytëzimin e 1/12 së buxhetit të vitit paraprak. Pas 31 marsit Kosova do të kolapsojë financiarisht nëse nuk ka buxhet të miratuar”, ka thënë Gashi.

I pyetur nëse ka alternativë në këtë situatë, Gashi është shprehur se qeveria në dorëheqje duhet të dërgojë në Kuvend draftin e buxhetit të cilin e ka përgatitur më parë.

“Meqenëse jemi në një situatë të tillë unë e konsiderojë të jashtëzakonshme dhe urgjente, atëherë qeveria në dorëheqje, si kujdestare e ekzekutivit, duhet të procedojë për miratim draftin e buxhetit të cilin e ka përgatitur më parë”, ka thënë Gashi.

Tutje ai ka thënë se vonesat në miratimin e buxhetit do të lënë pasoja në të gjithë indikatorët makroekonomik.

Analisti politik, Blerim Latifi në emisionin Pressing në T7 ka thënë se hyrja në vitin 2020 pa Ligj për Buxhetin është situatë alarmante.

“Ne kemi hyrë në vitin 2020 pa ligjin kryesor të funksionimit të shtetit që është Ligji i Buxhetit. Në vitin 2020 Qeveria e Kosovës nuk ka buxhet”, ka thënë Latifi.

Sipas tij, legjislatura e shtatë që është formuar nuk e njeh qeverinë në ikje, prandaj duhet të krijohet qeveria e re e cila e punon buxhetin.

“Duhet të kemi një qeveri me kapacitet të plotë ekzekutiv, legjislatura e re nuk e njeh qeverinë në ikje, duhet me u kriju qeveria e re e cila e punon buxhetin”, ka thënë Latifi.

Ndërkaq, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati përmes një postimi në Facebook ka thënë Kosova nuk do të ketë krizë buxhetore.

Sipas Muratit, duhet vetëm formimi i komisioneve parlamentare që të sigurohet funksionimi i Kuvendit i cili është konstituuar.

“Kosova nuk do të ketë krizë buxhetore. Kuvendi tashmë është konstituuar dhe krejt çka duhet është formimi i komisioneve parlamentare që të sigurohet funksionimi i plotë i institucionit”, ka shkruar deputeti i VV-së.

Sindika e Arsimit, Shëndetësisë dhe ajo e Shërbyesve Civilë kanë paralajmëruar trazira nëse pas 31 marsit nuk do të ketë paga për më shumë se 400 mijë të punësuar në institucionet publike.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483