Parku i Llogarasë në rrezik të madh, 300 forca ngjiten në malin e Karaburunit
Sipas zjarrfikses së Vlorës si dhe forcave që janë në terren situata në Karaburun ditën e sotme duket e qetë.
Konfirmohet se zjarri mbi fshatin Dukat është fikur plotësisht ndërsa forca të shumta që prej orës 5 të mëngjesit po punojnë në gropën e Pirit për mos të lejuar flakët që të shkojnë drejt Llogorasë.
Krahas forcave zjarrfikse nga Vlorë ka ardhur mbeshtetje nga Saranda dhe Tirana si dhe në gatishmëri janë efektivët e forcave të armatosura dhe një helikopter që po punon nga ajri.
Zjarri në Gropën e Pirit pranë Llogorasë sipas autoriteteve paraqitet në kontroll dhe po punohet të fiket ditën e sotme. Gjithashtu që prej orës 11 të mbrëmjes së ditës së djeshme është shuar edhe vatra e zjarrit në Gorisht të Vlorës.
Pavarësisht nga lajmet zyrtare të fundjavës se situate ishte vënë nën kontroll, duket se Parku Kombëtar me pisha i Llogarasë vazhdon që të jetë në një rrezik serioz.
Mëngjesin e sotëm rreth 300 forca të ushtrisë dhe emergjencave civile janë ngjitur në malin e Karaburunit dhe pikërisht tek vendi i quajtur Gropat e Pirit, pasi është zona me rrezikshmëri më të lartë, ku vatrat e zjarrit janë aktive dhe rrezikojnë seriozisht Parkun zonën e Llogorasë i cili është një masiv pyjor me pemë shekullore. FA, zjarrfikës të Vlorës, ADZM, prefektura, por dhe banorë të Dukatit janë duke u ngjitur në mal për fikjen e zjarreve, të ndihmuar edhe nga helikopterët.
Në ditën e 15 të zjarreve, vetëm kjo zonë paraqet rrezikshmëri të lartë, pasi zjarri mbi fshatin Dukat është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik.