Kosova

Parkingu i premtuar mbetet në harresë të Prishtinës

Ndonëse kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti në zgjedhjet e vitit 2017 kishte premtuar gjetjen e një zgjidhjeje për parkingjet në kryeqytet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, as pasi që Ahmeti po i mbush 6 vite në këtë pozitë.

Një ndër premtimet e tij ishte krijimi i parkingut nëntokësor tek Fakulteti i Filologjisë në Prishtinë, projekt ky i cili edhe një vit pas ende nuk ka filluar të jetësohet.

Aurora Osmani, 24-vjeçare çdo ditë ecë rrugëve të Prishtinës. Cenimi i sigurisë së saj është gjëja që i vie në mend çdoherë pasi zbret nga autobusi i linjës “1” i Trafikut Urban.

Aurora ndjehet e shqetësuar për sigurinë e saj gjatë kohës kur ajo detyrohet të ecë rrugëve të kryeqytetit pasi trotuaret bllokohen nga veturat e parkuara vend e pavend.

“Unë çdo ditë udhëtojë nga Fushë-Kosova në Prishtinë. Posa zbres nga autobusi i Trafikut Urban hasi në vështirësi të ecjes në trotuar pasi që janë të mbushura me vetura të parkuara. Kjo gjë vërehet në çdo pjesë të qytetit nga më bie mua të kalojë. Fillimisht kjo është situatë e rrezikshme dhe cenim i sigurisë në rrugë”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Ndërkohë për të kontribuar në zgjidhjen e këtij problemi nga qershori i këtij viti nga Policia e Kosovës janë konfiskuar gjithsej 2720 automjete, vozitësit e të cilave i thyen rregullat e komunikacionit duke parkuar veturën në vende që nuk janë të dedikuara për parkim.

Po ashtu, në po këtë periudhë policia shqiptoi 15300 gjoba për parkingje ilegale.