Kosova

Paralajmëron Aleksander Vuçiq: Prishtina prej të hënës fillon me arrestime “masive” në veri

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se autoritetet e Prishtinës po planifikojnë arrestimin e 26 policëve nga veriu i Kosovës por edhe 15 persona tjerë për shkak të korrupsionit.

“Prej të hënës ata duan të arrestojnë 26 policë nga veriu i Kosovës dhe 15 persona tjerë me arsyetim se ata kanë marrë pjesë në korrupsion, në mënyrë që veriu i Kosovës të mbetet i pambrojtur, para se gjithash Mitrovica dhe që të mund t’i bëjnë gjërat më të ndyta kundër popullit tonë”, ka deklaruar Vuçiq për televizionin serb RTS.

Ai ka thënë se Serbia për këtë i ka informuar të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Pastaj do të pasojë akti përfundimtar i sundimit të hapësirave ku jetojnë serbët, e sidomos në veri”, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar se “Serbia do të reagojë e përmbajtur, e qetë por se do ta mbrojë popullin e vet”.

Duke komentuar rezolutën të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës mbi gjenocidin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se “disa popuj në Ballkan nuk kuptojnë dhe nuk mund ta gjejnë rrugën për ardhmëri”.

“Rruga e vetme të cilën ata e shohin është ajo e urrejtjes ndaj popullit serb, edhe pse gjithmonë do të thonë se janë kundër vetëm atyre të cilët kanë kryer krime ndaj popullit të tyre. Dhe nuk mund të kthehen kah puna, as kah tregtia e as ekonomia. Disa vetëm i kanë veshur teshat dhe i kanë vënë kravatat, mirëpo kanë dal nga mali dhe është e kuptueshme se flasin në atë mënyrë”, ka thënë Vuçiq.

Sipas fjalëve të tij, “problemi është se Evropa dhe bota nuk kanë reaguar kur ata e kanë formuar ushtrinë, kur kanë refuzuar ta formojnë Asociacionin e komunave serbe, kur i kanë akuzuar serbët për krime por nuk kanë pasur dëshmi, kur është miratuar Platforma për dialog”.

Vuçiq ka thënë se Serbia ka paralajmëruar për këtë rezolutë dhe për marrje “të vendimeve tjera të çmendura” për shkak të cilëve “çdo serb duhet të ndihet i rrezikuar”.

Ai ka thënë se Serbia duhet të reagojë për këtë.

Siç ka thënë ai, “do të ketë akte të ndryshme të cilat do të miratohen në parlamentin serb, dhe me siguri edhe akte nënligjore të cilat do t’i miratojë qeveria serbe”.