Kosova

Paralajmërohen shkarkime në sektorin e diplomacisë

Dje në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë ekzekutuar shkarkimet e para, me ç’rast katërmbëdhjetë (14), konsujve të emëruar në mënyrë të jashtëligjshme, u është treguar rruga për në shtëpi.

Shefi i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti ka folur rreth vendimit të Ministrit Glauk Konjufca për shkarkimin e 14 konsujve. Ahmeti ka paralajmëruar edhe shkarkime të reja në diplomaci, derisa ka shtuar se për fenomenet e shkeljes së ligjit nuk do të shikohen emra, prejardhja apo qëndrimet partiake.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti ka thënë se vendimet e radhës do t’i marrin me maturi dhe në kohën e duhur dhe se nuk do të trajtojnë asnjë rast me emër të përveçëm.

“…ne nuk do ta trajtojmë asnjë rast me emër të përveçëm. Pra, do të punojmë që fenomenet e shkeljes së ligjit në Shërbimin e Jashtëm të luftohen, duke mos shikuar emra, prejardhje apo qëndrime par”, ka shkruar Ahmeti.