Kosova

Paraburgim ndaj të dyshuarit E.H. për aksident me fatalitet

Ferizaj 29 tetor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.H.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Rrezikimi i trafikut publik  nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake të Divizionit Penal – Imri Sejda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj..

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet  për caktimin e paraburgimit  të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, ku në rastin konkret është humbur një jetë njeriu dhe familjarët e të ndjerit mund të jenë në gjendje emocionale dhe nga kjo shtohet nevoja për ruajtjen e rendit publik, ku hyn edhe rreziku që i kanoset të pandehurit duke pasur parasysh se ka qenë një aksident me fatalitet.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./Kosova.info/