Kombëtare

Pandemia ul ndjeshëm numrin e fëmijëve në institucionet parashkollore

Situata aktuale me pandeminë në Kosovë ka bërë që të bjerë interesimi i prindërve për t’i dërguar fëmijët në institucione parashkollore. Sipas drejtuesve të çerdheve e kopshteve, ndër arsyet kryesore është frika e infektimit, por edhe ndikimi i pandemisë në ekonomitë familjare.

Drejtoresha e institucionit parashkollor “Xixëllonjat”, Mimoza Morina-Veseli, ka treguar se aktualisht vetëm 7 fëmijë janë duke shkuar në këtë çerdhe, por që presin të shtohet numri i tyre. Sipas saj, i gjithë stafi po mundohet t’i respektojë masat e rekomanduara nga Komuna dhe Ministria e Arsimit, raporton KOHA.

Ka thënë se kanë siguruar dezinfektues e mjete të nevojshme për mirëmbajtjen e higjienës.

Edhe drejtoresha e institucionit parashkollor “Buzëqeshja”, Albanë Rexha, ka bërë të ditur se nga 130 fëmijë sa janë të regjistruar, vetëm 6 prej tyre janë duke vijuar aktualisht. Rexha ka shtuar se edhe ky institucion ka ndërmarrë të gjitha masat e rekomanduara.

Qeveria ua ka lënë në dorë komunave përgatitjen për hapjen e çerdheve. Mirëpo, sipas komunave, kompetencë e tyre janë vetëm çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet, kurse privatet janë përgjegjësi e MASH-it.

Sipas drejtorit të Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, nga të dhënat që i kanë, shumica e çerdheve publike e private në Kosovë ende nuk janë hapur, por pritet javën e ardhshme.

Ditë më parë, Komuna e Prishtinës ka publikuar një protokoll për hapjen e kopshteve publike dhe me bazë në komunitet, i cili parasheh disa masa. Disa nga to janë që secili institucion parashkollor të formojë një task-forcë që përpilon plan të veprimit për obligimet, detyrat dhe përgjegjësitë.

Po ashtu, kërkohet dezinfektimi dhe pastrimi gjeneral i kopshtit.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483